SHBA-ja i ka refuzuar presidentit palestinez Mahmoud Abbas vizën për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, për të dytin vit radhazi, bëjnë të ditur dy burime palestineze për BBC-në.
Vendimi vjen pasi Uashingtoni njoftoi zgjatjen e sanksioneve të vizave ndaj zyrtarëve palestinezë, duke i akuzuar Autoritetin Palestinez dhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës për dështim në përmbushjen e angazhimeve ndaj procesit të paqes.
SHBA-ja i ka akuzuar gjithashtu këto struktura për “glorifikim të terrorizmit” dhe përpjekje për “ndërkombëtarizimin” e konfliktit izraelito-palestinez. Autoritetet palestineze i kanë kundërshtuar këto akuza, duke argumentuar se kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie ndaj Izraelit në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, rreth 80 zyrtarë palestinezë u refuzuan për viza për shkak të masave amerikane. Abbas atëherë iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme përmes videolidhjes.
Edhe këtë vit, 193 shtetet anëtare të OKB-së pritet të votojnë nëse Abbas do të lejohet të mbajë fjalimin përmes videos, transmeton Telegrafi.
Vendimi amerikan hap gjithashtu një debat mbi marrëdhënien mes rregullave të OKB-së dhe politikës së vizave të SHBA-së. Sipas Marrëveshjes për Selinë e OKB-së, Uashingtoni duhet të mundësojë qasjen e diplomatëve të huaj në selinë e organizatës, ndërsa SHBA-ja argumenton se mund të refuzojë viza për arsye sigurie, ekstremizmi apo të politikës së jashtme.
Shteti i Palestinës aktualisht njihet nga rreth 75% e 193 vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë dhe Australinë.
Nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja mbetet i vetmi që nuk e njeh shtetin palestinez. /Telegrafi/