Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari përfundimisht ka caktuar datën e takimit me studentët e pesë fakulteteve juridike dhe dekanët për ta diskutuar çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, raporton Alsat.
Takimi do të mbahet të hënën më 19 tetor në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa sipas njoftimeve paraprake ky takimi do të ketë karakter konsultativ dhe informativ, me qëllim që studentët të njoftohen me zgjidhjen ligjore dhe praktikisht të demonstrohet funksionimi i saj në praktikë.
Zgjidhja e cila paraprakisht është promovuar në opinion përfshin dhënien e pjesës teorike të provimit të jurisprudencës në shqip, ndërsa atë praktike në maqedonisht.
Megjithatë, oferta e këtillë është hedhur poshtë nga studentët të cilët do shkojnë në takim me qëndrimin se nuk e pranojnë asnjë zgjidhje tjetër përpos asaj që buron nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, respektivisht se provimi duhet të jetë tërësisht në shqip.
Pritet të shihet nëse do të gjendet gjuhë e përbashkët, ndonëse deri tani palët janë deklaruar me qëndrime të betonuara për çështjen.
Çështja e provimit të jurisprudencës tanimë disa muaj është çështje debati në opinionin publik për çka u organizuan edhe protesta. Ndërkohë që BDI-ja akuzon VLEN-in se po e zvarrit çështjen dhe po ofron zgjidhje gjysmake, VLEN-i kundërpërgjigjet se BDI-ja ka pasur kohë dy dekada ta zgjidh çështjen.
Ndërkohë që zgjidhja pritet, vijojnë afatet ku kandidatët shqiptarë paraqiten për t’u testuar në maqedonisht. Në katër sesionet për dhënien e provimit të jurisprudencës, përfshirë edhe atë të tetorit, janë paraqitur gjithsej 23 kandidatë shqiptarë. Nëse analizohen numrat, mund të shihet qartë se deri tani, shqiptarët kanë treguar interes më të madh për t’u futur në provimin e jurisprudencës gjatë kohës derisa me Ministrinë ka udhëhequr kuadri shqiptar. /Alsat/

