Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për klimën e pasigurisë që, sipas saj, po krijohet nga tensionet politike dhe protestat e vazhdueshme në Shqipëri, duke paralajmëruar për ndikimin e tyre në investime, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin normal të bizneseve.
AKB thekson se e drejta demokratike për protestë duhet respektuar, por përplasjet politike nuk duhet të pengojnë zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve dhe veprimtarinë e bizneseve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka bërë të ditur se një pjesë e investitorëve kosovarë po tregohen më të rezervuar dhe po ngadalësojnë vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri.
Sipas tij, pasiguria politike, tensionet institucionale dhe mungesa e një klime të qëndrueshme ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e investitorëve dhe planet afatgjata të biznesit.
“Investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria”, thekson Shahini.
Ai u ka bërë thirrje pozitës, opozitës dhe institucioneve shqiptare që përmes dialogut dhe përgjegjësisë shtetërore të krijojnë një klimë të qëndrueshme për investime.
Sipas AKB-së, Shqipëria nuk duhet të rrezikojë humbjen apo shtyrjen e investimeve për shkak të krizave politike, ndërsa ekonomia nuk duhet të mbetet peng i interesave partiake.
Në reagimin e saj, AKB nënvizon se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen, duke krijuar më shumë mundësi për investime, prodhim, eksporte dhe punësim.
“Kapitali nuk pret pafundësisht – ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë”, ka deklaruar Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).

