Opinionistja Anita Shabani, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka komentuar deklaratën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e gjyqtarëve.
Shabani e ka cilësuar deklaratën si politike, duke theksuar se pavarësia e gjykatës dhe integriteti i gjyqtarëve duhet të vlerësohen përmes mënyrës se si zhvillohet procesi gjyqësor.
“Deklarata sot e Trëndafilovës në raport me pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e gjyqtarëve nuk është asgjë tjetër përveçse deklaratë politike”, ka thënë Shabani.
Ajo ka theksuar se vlerësimi i pavarësisë së gjyqësorit duhet të bazohet në transparencën e treguar gjatë procesit, respektimin e të drejtave të të akuzuarve dhe vendimin e nxjerrë nga gjykata.
Sipas Shabanit, duhet bërë e qartë një çështje, se një gjykatë që është themeluar mbi bazën e një shteti nuk mund të ketë fuqinë absolute mbi shtetin.
“…Kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe një gjykatë e cila është themeluar nga ky kuvend nuk mund të jetë më e fuqishme sesa një shtet. Pra ne jemi shteti, kuvendi është i republikës së Kosovës dhe një gjykatë që është themeluar mbi bazën e këtij shteti nuk mund ta ketë fuqinë absolute përmbi Republikën e Kosovës” – tha Shabani.

