Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë ditëve të ardhshme. “Dardanët” më 31 maj do të përballen me Çekinë në udhëtim, ndërsa një javë më vonë do ta presin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi Franco Foda e ka publikuar listën me 25 futbollistë për këto takime, ku përveç disa rikthimeve, vërehen edhe emra të rinj.
Të sapofutur në listë janë Dardan Shabanhaxhaj (Rubin Kazan), Valmir Matoshi (Thun) dhe Rilind Nivokazi (Sion).
Telegrafi ju sjell më poshtë disa detaje rreth treshes së re që pritet të paraqitet për herë të parë me Kosovën.
Dardan Shabanhaxhaj (Rubin Kazan)
Sulmues i gjithanshëm, Shabanhaxhaj mund të luajë në qendër, në krah, por edhe prapa sulmuesit. Ai ka lindur në Graz të Austrisë dhe aktualisht aktivizohet te klubi rus Rubin Kazan.
Sipas “Transfermarkt”, vlera e tij është rreth 1.5 milion euro, ndërsa në 27 ndeshjet e fundit me Rubin Kazanin ka realizuar 3 gola dhe 2 asistime.
Gjatë karrierës ka luajtur edhe për Sturm Graz, Kapfenberg dhe Mura. Në nivel kombëtarësh, ai ka dy paraqitje me Kosovën U16, si dhe dy paraqitje me Austrinë U21.
Valmir Matoshi (Thun)
Mesfushori 22-vjeçar ka qenë një prej emrave më të spikatur në Zvicër këtë sezon, duke zhvilluar 34 paraqitje dhe duke kontribuar me 6 gola e 4 asistime.
Matoshi ka lindur në Thun, luan kryesisht si qendërmesfushor, por përshtatet edhe në rolin e mesfushorit mbrojtës.
Falë paraqitjeve të mira, ai ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, ndërsa raportohet interesim edhe nga Genoa dhe Lecce në Serie A.
Vlera e tij në “Transfermarkt” është rreth 1.2 milionë euro, dhe pritet që të ketë mundësi për transferim në afatin veror. Matoshi e ka zhvilluar tërë karrierën te Thun, ndërsa më parë ka luajtur me grupmoshat e Zvicrës U20 dhe U21.
Rilind Nivokazi (Sion)
Sulmuesi i qendrës, 26-vjeçar, ka lindur në Perugia të Italisë, ku edhe e ka nisur futbollin. Ai ka qenë pjesë e grupmoshave të Atalantës dhe Bolognas, ndërsa më pas ka luajtur edhe për Lecco dhe Foggia.
Në Zvicër, Nivokazi ka kaluar te Chiasso, Lugano, Rapperswil-Jona, Bellinzona dhe tani është pjesë e Sionit. Vlera e tij në “Transfermarkt” vlerësohet rreth 1.5 milion euro, ndërsa këtë sezon ka regjistruar 13 gola dhe 5 asistime.
/Telegrafi/
