Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion gjatë një aksioni të zhvilluar në komunat e Leposaviqit dhe Vushtrrisë, ndërsa një person është proceduar penalisht për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar sot nga zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, pasi kishin siguruar informacione se i dyshuari me inicialet A.A. (1997), me vendbanim në Leposaviq, posedonte armë ilegale.
Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë kryer kontrolle në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe në një lokacion në komunën e Vushtrrisë.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një flamur me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, një armë të gjatë të tipit AK-47, si dhe një karikator të mbushur me 30 fishekë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin emergjent 192.
