Në rrjete sociale janë publikuar pretendime për një incident fizik të ndodhur të enjten, më 14 maj 2026, në Skenderaj, ku përmendet emri i kryetarit të komunës, Sami Lushtaku.
Pretendimi është bërë publik përmes një postimi në Facebook të Bahri Zabelit, anëtar i LVV-së në Skenderaj, i cili ka shkruar në emër të Hysni Mehanit, kryetar i LVV-së në Skenderaj dhe zëvendësministër në detyrë i Financave. Në postim pretendohet se Mehani është sulmuar fizikisht nga Lushtaku.
Ndërkohë, Zabeli ka deklaruar se ai dhe Mehani janë sulmuar dhe se janë duke marrë trajtim mjekësor.
“Jemi në spital. Jemi sulmuar nga Sami Lushtakut. Unë dhe Hysni Mehani. Kemi qenë në kafe, kanë ardhur na kanë sulmuar, Samiu, direkt. Policia ka qenë, deklaratë nuk kemi dhanë sepse jemi në spital”, ka thënë Zabeli për Telegrafin.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me stafin e kryetarit të Skenderajt dhe vetë Sami Lushtakun, por sipas mediumit ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.
Edhe një llogari tjetër në Facebook, Selman Sokoli, ka publikuar një postim ku pretendon se Mehani është sulmuar, duke përmendur po ashtu emrin e Lushtakut.
“Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, thuhet në postimin e tij.
Policia e Kosovës, deri në momentin e publikimit, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin dhe nuk ka konfirmim zyrtar për rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/