Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku sërish ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti për arsyet e shpërnguljes së qytetarëve jashtë Kosovës.
Gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës, ditë më parë, Kurti përmendi disa prej arsyeve që, sipas tij, qytetarët po ikin nga vendi, derisa deklaroi se arsye të një vendimi të tillë mund të jenë problemet fqinjësore, procedurat nëpër gjykata apo edhe ndonjë padrejtësi diku.
Por, Sadiku ka thënë se janë të tjera arsye që, sipas tij, qytetarët po ikin nga Kosova.
Në një postim në rrjetin social Facbook, ai ka thënë se populli i Kosovës nuk është shpërngulur as në kohëra e rrethana shumë të vështira.
“Kryeministër. Populli ynë nuk është i tillë. Nuk shperngulet. Ky popull ka qëndru e ka mbijetu në këtë vend denbabaden. U ka mbijetu pushtuesve sllavë e osmanë për qindra vjet. Por sot po ikën prej politikanëve si ju dhe atyre që ishin para jush. Po ikën sepse po ia vidhni shpresën, po ia mohoni mundësinë e mbi të gjitha, po ia vrisni dashninë për këtë vend. Nuk po ikin prej Kosovës, Kryeministër. Po ikin prej Kosovës që ua keni ba ju.”, ka shkruar Sadiku. /Klankosova.tv

