Një ndërprerje e madhe ka goditur një pjesë të sistemit hekurudhor në Holandë të martën.
Kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e infrastrukturës kombëtare hekurudhore ka bërë të ditur se shkaku po trajtohet si sabotazh i mundshëm.
“Në disa lokacione janë gjetur objekte të vendosura qëllimisht mbi shina. Kjo ka shkaktuar defekte në sistemet e kontrollit të linjave hekurudhore. Duket se bëhet fjalë për sabotazh”, njoftoi kompania ProRail.
Kompania nuk ka bërë të ditur se për çfarë lloj objektesh apo materialesh bëhet fjalë. Gjithashtu, deri tani nuk ka të dhëna se kush mund të qëndrojë pas këtij sabotazhi.
Kompania kombëtare hekurudhore njoftoi se shërbimet e trenave në zonat përreth qyteteve qendrore Zwolle, Deventer dhe Amersfoort janë ndërprerë rëndë gjatë orarit të mëngjesit, kur qarkullimi është më i madh.
“Ende nuk është e qartë se sa kohë do të nevojitet që trafiku hekurudhor të rikthehet në normalitet”, u njoftuan pasagjerët.
Ndërprerja ndodhi në një ditë kur qeveria holandeze po i prezanton parlamentit buxhetin vjetor. Për këtë ngjarje, mijëra njerëz janë mbledhur në Hagë për të parë familjen mbretërore teksa kalon nëpër qytet me karroca të tërhequra nga kuajt. /Telegrafi/