Skuadra angleze ka regjistruar vetëm një fitore në tetë ndeshjet e para të kampionatit, krahas katër barazimeve dhe tri humbjeve. Me vetëm shtatë pikë të grumbulluara, Unitedi renditet në pozitën e 16-të, plot 14 pikë prapa liderit të tabelës.
Sipas BBC-së, humbja e fundit ndaj Bournemouthit ka bërë që pozita e Carrickut të jetë gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa drejtuesit e klubit po përballen me një situatë shqetësuese për vazhdimësinë e sezonit.
Carrick mori drejtimin e Manchester Unitedit në janar, pas largimit të Ruben Amorimit. Fillimisht u emërua trajner i përkohshëm, por rezultatet pozitive dhe sigurimi i vendit të tretë në Ligën Premier, që i mundësoi skuadrës kualifikimin në Ligën e Kampionëve, bindën drejtuesit që në maj t’i ofronin kontratë të përhershme.
Megjithatë, fillimi i sezonit të ri ka qenë krejtësisht ndryshe. Unitedi nuk ka arritur të regjistrojë asnjë fitore në kampionat që nga 30 gushti, kur kishte mposhtur Ipswichin me rezultat 5-2.
Që atëherë, skuadra ka hyrë në një krizë të thellë rezultatesh, e cila mund t’i kushtojë Carrickut vendin e punës.
Statistikat tregojnë qartë përmasat e krizës që ka përfshirë klubin nga ‘Old Trafford’.
Shtatë pikët e grumbulluara në tetë ndeshjet e para përbëjnë fillimin më të dobët të Manchester Unitedit në këtë fazë të kampionatit që nga sezoni 1986/87, kur kishte siguruar vetëm katër pikë.
Humbja 3-0 ndaj Bournemouthit ishte gjithashtu më e rënda në shtëpi në Ligën Premier që nga dhjetori i vitit 2024, kur pikërisht i njëjti kundërshtar kishte triumfuar me rezultat identik në ‘Old Trafford’.
Për Bournemouthin, kjo ishte fitorja e tretë në udhëtim ndaj Manchester Unitedit me të paktën tri gola epërsi. Që nga themelimi i Ligës Premier në sezonin 1992/93, vetëm Liverpooli ka regjistruar më shumë fitore të tilla në Old Trafford, gjithsej katër.
Një tjetër statistikë shqetësuese është se Manchester Unitedi nuk ka fituar në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke regjistruar tri barazime dhe pesë humbje.
Një seri kaq negative ishte regjistruar për herë të fundit gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2015.
Gjatë kësaj periudhe, Unitedi ka pësuar dy herë nga dy humbje radhazi, ndonëse gjatë gjithë sezonit të kaluar 2025/26 nuk kishte regjistruar dy disfata të njëpasnjëshme në kampionat.
Edhe më shqetësues është bilanci i ndeshjeve në Old Trafford. Që nga fillimi i sezonit 2023/24, asnjë skuadër e Ligës Premier nuk ka pësuar më shumë humbje në shtëpi me të paktën tri gola diferencë në të gjitha garat sesa Manchester Unitedi, që numëron plot shtatë disfata të tilla.
Këto statistika dëshmojnë se problemet e klubit nuk kufizohen vetëm te rezultatet e javëve të fundit, por janë pjesë e një krize më të gjatë.
Tashmë mbetet të shihet nëse drejtuesit do të vazhdojnë t’i besojnë Carrickut apo do të vendosin për një tjetër ndryshim në stolin e skuadrës. /Telegrafi/

