Rroga mujore e një mësuesi në kantonin ekonomikisht më të fuqishëm të Zvicrës sillet prej 10’700 franga deri në 12’500 franga.
Më 27 shtator, rreth 950’000 votues në kantonin e Zürichut do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur mbi Ligjin për Stafin Mësimdhënës. Reforma, e cila parashikon më shumë kohë për përgatitjen e mësimdhënies dhe udhëheqjen e klasave, ka nxitur debate.
Ndërsa mbështetësit e shohin atë si vlerësim për arsimtarët, kundërshtarët e kritikojnë si një rritje pagash, të cilët tashmë konsiderohen ndër më të paguarit në Zvicër. Të dhënat nga Drejtoria e Arsimit dhe të analizuara nga gazeta “Tages Anzeiger” zbulojnë se sa fitojnë realisht 17’700 arsimtarët e kantonit.
Pagat e mësimdhënësve ndryshojnë sipas nivelit shkollor, përvojës dhe orarit të punës, por në përgjithësi ato mbeten mjaft të larta. Me një orar të plotë pune (100 për qind), paga mesatare vjetore për një edukatore kopshti ose mësues filloreje arrin në 130’362 franga zvicerane (midis 9000 dhe 10’700 franga në muaj, llogaritur me 13 rroga). Në shkollat e mesme të ulëta (Sekundarschule), paga mesatare për një orar të plotë është edhe më e lartë, duke arritur në 139’440 franga në vit (rreth 9500 deri në 11’400 franga në muaj). Paga më e lartë reale e regjistruar për vitin 2026 në shkallë kantonale arrin në 152’874 franga në arsimin fillor dhe deri në 163’522 franga në atë të mesëm.
Sidoqoftë, rrogat varen nga përqindja e angazhimit, pasi shumica e mësuesve nuk punojnë me orar të plotë. Në kopshte, ku 97 për qind e punonjësve janë gra, angazhimi mesatar është 61 për qind, me një pagë bruto prej 79’500 frangash në vit. Në arsimin fillor, ku gratë përbëjnë 81 për qind të stafit, puna mesatare prej 71 për qind sjell një pagë vjetore prej 92’557 frangash. Ndërsa në shkollën e mesme, me një angazhim mesatar prej 77 për qind, paga vjetore shkon në 107’400 franga. Statistikat tregojnë se vetëm 17.3 për qind e burrave dhe 6.7 për qind e grave punojnë me orar të plotë 100 për qind, ndërsa pjesa tjetër redukton orët e punës gjatë periudhës kur rrit fëmijët.
Aktualisht, kantoni i Zürichut ndan 1,56 miliardë franga vetëm për rrogat e arsimtarëve. Nëse ligji i ri miratohet nga qytetarët në votime, shpenzimet do të rriten për 83 milionë franga të tjera çdo vit. Kjo do të kërkonte ose punësimin e 520 mësuesve të rinj me orar të plotë, ose rritjen e lehtë të përqindjes së angazhimit për mësuesit ekzistues për të mbuluar nevojat e shkollave.