Kimi Antonelli është shpallur kampion i botës në Formula 1, duke u bërë piloti më i ri në histori që fiton këtë titull. Italiani 20-vjeçar i Mercedesit siguroi triumfin të dielën, pas përfundimit të Çmimit të Madh të Meksikës, ku e mbylli garën në pozitën e tretë.
Me këtë sukses, Antonelli theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte shpallur kampion i botës në vitin 2010, në moshën 23-vjeçare e 134 ditë.
Ai gjithashtu u bë italiani i parë pas 73 vjetësh që fiton titullin e Formula 1, që nga koha kur Alberto Ascari triumfoi për herë të dytë radhazi me Ferrarin, në vitin 1953.
Por, përveç suksesit historik në pistë, titulli i ka sjellë Antonellit edhe përfitime të mëdha financiare.
Bonuset ia rrisin të ardhurat në afro 10 milionë euro
Sipas gazetës gjermane “Bild”, paga bazë e Antonellit te Mercedes është rreth 1.7 milionë euro në sezon, njëra prej më të ulëtave në mesin e pilotëve të Formula 1.
Megjithatë, bonusi për fitimin e kampionatit pritet t’ia rrisë të ardhurat totale për vitin 2026 në pak më pak se 10 milionë euro. Kjo do të thotë se përfitimet e tij këtë vit janë pothuajse gjashtë herë më të larta se paga bazë.
Antonelli ka kontratë me Mercedesin të paktën deri në fund të vitit 2027, por pas këtij triumfi historik pritet që gjatë dimrit t’i ofrohet një marrëveshje e re me kushte dukshëm më të mira.
Russell përfiton shumë më tepër se kampioni i ri
Interesant është fakti se, pavarësisht se këtë sezon është lënë në hije nga shoku i tij i skuadrës, George Russell vazhdon të përfitojë shumë më tepër financiarisht.
Sipas raportimeve të “Bild” nga viti i kaluar, paga e britanikut mund të arrijë rreth 25 milionë euro në sezon, ndërsa disa burime të tjera kanë raportuar shifra edhe më të larta.
Duhet theksuar se fitimi i titullit të Formula 1 nuk i siguron automatikisht pilotit një shpërblim financiar nga organizatorët e kampionatit. Të ardhurat nga të drejtat komerciale u shpërndahen ekipeve, ndërsa pilotët përfitojnë përmes pagave dhe bonuseve të përcaktuara në kontratat e tyre.
Kështu, triumfi në Meksikë jo vetëm që e vendosi Antonellin në historinë e Formula 1, por pritet të ndikojë ndjeshëm edhe në kontratën e tij të ardhshme me Mercedesin. /Telegrafi/

