Masazhi është një nga trajtimet më të përhapura që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve dhe relaksimin e trupit, por sipas fizioterapistit Valon Maloku, efekti i tij në aspektin fizik është shumë i kufizuar.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Maloku shpjegon se masazhi nuk sjell ndryshime reale strukturore në trup.
Ai thekson se nga këndvështrimi shkencor është pothuajse e pamundur që përmes presionit manual të arrihen ndryshime të thella në muskuj apo inde.
Sipas tij, ajo që ndodh gjatë masazhit është kryesisht një reagim sipërfaqësor i trupit, si skuqja e lëkurës nga fërkimi, si dhe një efekt psikologjik që lidhet me ndjenjën e relaksimit.
“Masazhi të bën të ndihesh mirë, por nuk e zgjidh problemin në thelb”, thekson ai.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe çlirimi i hormoneve si oksitocina, e cila ndikon në uljen e stresit dhe krijimin e një ndjenje mirëqenieje.
Megjithatë, kjo nuk duhet të ngatërrohet me trajtim real të shkakut të dhimbjes.
Në vijim të diskutimit, Maloku ngre edhe një shqetësim tjetër të rëndësishëm: koston e trajtimeve që, sipas tij, shpesh nuk justifikohen nga efektet që japin.
Ai paralajmëron se në shumë raste pacientët paguajnë për terapi që fokusohen vetëm në lehtësimin e përkohshëm të simptomave, pa adresuar shkakun kryesor të problemit.
“Nëse trajtimi nuk merret me gjenezën e problemit, atëherë në afatgjatë nuk ka zgjidhje reale”, thekson ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com