Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se kriza me Iranin nuk hyn drejtpërdrejt në përgjegjësitë e Aleancës, pasi vendi ndodhet jashtë territorit të saj.
Ai tha se çështjet që lidhen me Teheranin po trajtohen nga aleatët individualë në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
“Irani është jashtë territorit të NATO-s. Irani nuk duhet të ketë kapacitete bërthamore dhe ngushtica e Hormuzit duhet të hapet”, deklaroi Rutte, shkruan skynews.
Ai theksoi gjithashtu se NATO prej kohësh mban qëndrimin se Irani nuk duhet të sigurojë aftësi të raketave balistike ndërkontinentale, të cilat mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.
“Por kjo është jashtë territorit të NATO-s, prandaj aleatët individualë po e menaxhojnë këtë çështje së bashku me Shtetet e Bashkuara”, shtoi kreu i Aleancës.
Deklarata e Ruttës vjen pas kritikave të vazhdueshme të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj NATO-s, për të cilën ai ka kërkuar një rol më aktiv në përballjen me kërcënimet ndërkombëtare, përfshirë situatën me Iranin.
Qëndrimi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s tregon se Aleanca, si organizatë, nuk po planifikon një përfshirje të drejtpërdrejtë në këtë krizë, duke ia lënë vendimmarrjen dhe veprimet konkrete shteteve anëtare, veçanërisht Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/
