Qytetarët e Rusisë kanë nisur të votojnë në zgjedhjet parlamentare treditore, të parat në vend që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Procesi zhvillohet në një situatë ku opozita është pothuajse e eliminuar nga gara.
Autoritetet kanë vendosur që votimi të zhvillohet gjatë fundjavës, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së 111 milionë votuesve, ndërsa është lejuar edhe votimi elektronik. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri të dielën.
Kremlini synon që zgjedhjet të shërbejnë si dëshmi e mbështetjes publike për luftën në Ukrainë, shkruan theguardian.
Presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë, duke thënë se zgjedhjet do të tregojnë se miliona njerëz qëndrojnë pas forcave ruse.
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e saj në Dumën Shtetërore. Disa parti të tjera të përfshira në të ashtuquajturën “opozitë sistemike” gjithashtu garojnë, por zakonisht mbështesin qeverinë në çështjet kryesore.
Partia liberale Jabloko, e vetmja parti e regjistruar që ka kritikuar hapur luftën, u përjashtua nga gara nga Gjykata Supreme ruse muajin e kaluar. Ndërkohë, disa politikanë kundër luftës janë arrestuar ose janë larguar jashtë vendit.
Për herë të parë, votimi po zhvillohet edhe në territoret e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, përfshirë zona që Moska i ka shpallur të aneksuara. Ukraina e ka dënuar procesin si të paligjshëm dhe u ka bërë thirrje vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të mos i njohin këto zgjedhje. /Telegrafi/