Stephen Hubbard, shtetas amerikan 74-vjeçar nga Miçigani, i cili u akuzua se i ishte bashkuar forcave të armatosura ukrainase dhe po mbahej në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, në vitin 2022, është liruar të mërkurën.
Lirimi i tij po paraqitet si një gjest vullnetmirë nga Kremlini.
Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për lirimin e Hubbardit të mërkurën, derisa e nisi një takim me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff. Ky është takimi i tyre i nëntë dhe po mbahet në Shën Petersburg, për të folur për bisedimet që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.
Putin tha se Hubbardi, i vetmi shtetas amerikan i mbajtur nga Rusia të cilin Uashingtoni e ka cilësuar si të ndaluar padrejtësisht, ndodhej në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut, prej nga do të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me Witkoffin.
Pak më vonë, presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi lirimin e Hubbardit, duke thënë se ai së shpejti do të ribashkohet me familjen e tij. “Mirë se u ktheve në shtëpi, Stephen. Është kënaqësi që je sërish me ne”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Trump tha se kishte kërkuar lirimin e Hubbardit gjatë një bisede telefonike me Putinin javën e kaluar dhe se Uashingtoni “nuk ishte i detyruar të jepte asgjë në këmbim”, duke e cilësuar veprimin e Kremlinit si “të paprecedentë”.
Hubbard, ish-mësues, u arrestua nga forcat ruse në prill të vitit 2022. Në tetor të vitit 2024, Gjykata e Qytetit të Moskës e dënoi me gjashtë vjet e dhjetë muaj burg, duke e akuzuar se ishte mercenar.
Prokurorët rusë pretenduan se ai kishte luftuar për forcat e mbrojtjes territoriale të Ukrainës në rajonin verilindor të Harkivit, i cili në atë kohë ishte kryesisht nën pushtimin rus. Sipas tyre, ai kishte lidhur një kontratë me pagesë prej 1.000 dollarësh në muaj.
Familjarët e Hubbardit, veçanërisht motra e tij, Patricia Fox, kishin shprehur më parë dyshime lidhur me akuzat, duke thënë se Hubbardi kishte pasur prej kohësh simpati për Rusinë dhe ishte zhvendosur në Ukrainë në vitin 2014.
Fox tregoi se Hubbardi kishte jetuar në qytetin e Iziumit, pasi ishte ndarë nga e dashura e tij ukrainase, dhe se ndodhej atje kur shpërtheu lufta. Ajo iu referua gjithashtu një videoje të publikuar në maj të vitit 2022, në të cilën Hubbardi shihej duke komentuar për luftën.
Në video, ai pretendonte se kishte parë forcat ukrainase duke bombarduar Iziumin për “qëllime propagandistike” dhe shprehte mirëkuptim për vendimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën.
Mbetet e paqartë se në çfarë rrethanash ishte realizuar videoja, çka ngre pikëpyetje nëse Hubbardi ishte detyruar të bënte këto deklarata. Nuk ka pasur raportime apo njoftime zyrtare lidhur me arrestimin e tij ose me mënyrën se si përfundoi në Moskë.
Çështja e shtetasve amerikanë të mbajtur në burgjet ruse është bërë temë e rëndësishme politike vitet e fundit. Shumëkush i sheh këto raste si pjesë të një modeli më të gjerë, në të cilin amerikanët përdoren si mjet trysnie në mosmarrëveshje më të gjera gjeopolitike.
Lirimi i Hubbardit ndodhi para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të mbahen në nëntor dhe do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin, si dhe në kohën kur Moska dhe Kievi po zhvillojnë negociata të zgjatura për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Palët mbeten shumë larg një marrëveshjeje të mundshme, pasi Kremlini nuk po ofron lëshime dhe vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e veta.
Gjatë presidencës së Trumpit, ashtu si edhe gjatë mandatit të paraardhësit të tij, Joe Biden, Moska dhe Uashingtoni kanë realizuar disa shkëmbime të mëdha të të burgosurve që mbaheshin në burgjet amerikane dhe ruse. Megjithatë, Rusia vazhdon të mbajë disa shtetas amerikanë, rastet e të cilëve ende nuk janë zgjidhur.
Sipas Eric Lebsonit, drejtorit të strategjisë në Global Reach, një organizatë që merret me avokim, të paktën pesë amerikanë vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Rusi. Lebsoni ia tha Radios Evropa e Lirë këtë në fillim të këtij viti. Raporte të tjera e çojnë numrin deri në dhjetë.

