Prej gati katër ditësh, një pjesë e “Rrugës B” në Prishtinë është mbuluar nga ujërat e zeza pas shpërthimit të rrjetit të kanalizimit, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe duke shkaktuar kundërmim të rëndë.
Kalimi në këtë segment është bërë tejet i vështirë për banorët, të cilët krahas pengesave në lëvizje, detyrohen të mbulojnë fytyrën edhe me shall për t'u mbrojtur nga era e padurueshme, raporton Klan Kosova.
Të lodhur nga kjo situatë, qytetarët shprehen të revoltuar për rrezikun shëndetësor dhe pamjen e shëmtuar në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Për këtë shqetësim, Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës ka thënë për Klankosova.tv se intervenimi i parë nuk pati sukses, por zgjidhja pritet në fillim të javës.
Gatishmërinë për të dalë bashkërisht në terren të hënën për eliminimin e avarisë e kanë konfirmuar edhe nga KRU “Prishtina”.
Për më shumë ndiqeni videon më poshtë:

