Shërbimi Federal i Inteligjencës (NDB) ka pezulluar përkohësisht operacionet jashtë vendit, pasi dyshohet se janë komprometuar të dhënat e agjentëve që veprojnë me identitete të mbuluara. Ndërkohë, Shërbimi Federal i Sigurisë ka shtuar masat e mbikëqyrjes për anëtarët e qeverisë, ndërsa autoritetet po krijojnë një grup të posaçëm pune për të trajtuar pasojat e sulmit kibernetik.
Një sulm kibernetik ndaj kompanisë Publica, furnizuese e shërbimeve softuerike për fondet e pensioneve në Zvicër, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare. Sipas gazetës zvicerane Tages-Anzeiger, pas sulmit qëndron grupi i hakerëve Akira, i cili dyshohet se ka vjedhur rreth 100 gigabajt të dhëna, shkruan 20 minuten.
Informacionet e komprometuara mund t’u përkasin më shumë se 100 mijë punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të administratës federale dhe agjencive shtetërore. Mes tyre dyshohet se ka edhe të dhëna të ish-anëtarëve të Këshillit Federal, agjentëve sekretë, hetuesve të krimit të organizuar dhe pjesëtarëve të njësive elitare ushtarake.
Rrezik për agjentët me identitete të mbuluara
Shqetësimi më i madh lidhet me mundësinë që në të dhënat e vjedhura të përfshihen informacione për punonjës të Zyrës Federale të Policisë (Fedpol) dhe Shërbimit Federal të Inteligjencës, të cilët operojnë nën identitete të fshehta.
Sipas raportimeve, një vlerësim i brendshëm paralajmëron se zbulimi i këtyre të dhënave mund të rrezikojë drejtpërdrejt jetën e personave të prekur. Informacionet mund të përfundojnë në duart e shërbimeve të huaja të inteligjencës ose të organizatave kriminale.
Për këtë arsye, NDB thuhet se po përmbahet aktualisht nga operacionet jashtë vendit, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për zyrtarët e lartë shtetërorë.
Të dhëna personale dhe financiare të ekspozuara
Informacionet e vjedhura mund të përfshijnë emra, data lindjeje, numra të sigurimeve shoqërore AHV, adresa, numra telefoni, adresa elektronike, të dhëna për pensionet, gjendjen civile dhe llogaritë bankare.
Ekspozimi i këtyre të dhënave krijon rrezik për mashtrime financiare, vjedhje identiteti dhe shantazh. Sipas Tages-Anzeiger, autoritetet zvicerane kanë identifikuar tashmë raste të dyshuara mashtrimi që lidhen me incidentin, transmeton Telegrafi.
Qeveria federale po përgatit një grup pune për të koordinuar reagimin ndaj sulmit dhe për të vlerësuar pasojat e tij për sigurinë kombëtare.
Akira, grupi i dyshuar pas sulmit
Grupi i hakerëve Akira, aktiv që nga viti 2023, njihet për sulme me programe shpërblimi (ransomware) dhe për metodën e zhvatjes së dyfishtë: fillimisht vjedh të dhënat dhe më pas i enkripton, duke kërcënuar se do t’i publikojë nëse viktima nuk paguan.
Në rastin e Publica-s, grupi dyshohet se po kërkon shpërblim financiar. Deri më tani, sipas raportimeve, të dhënat e vjedhura nuk janë publikuar në rrjetin e errët.
Autoritetet zvicerane kanë paralajmëruar më herët për aktivitetin e Akira-s, e cila dyshohet se ka goditur rreth 200 kompani. Sulme të ngjashme kanë prekur edhe kompaninë shtetërore të armëve Ruag.
Hetimet pritet të përcaktojnë shtrirjen e plotë të rrjedhjes së të dhënave dhe nëse informacionet e komprometuara kanë përfunduar në duart e aktorëve të huaj ose të grupeve kriminale./Telegrafi/

