Rritja e numrit të shkurorëzimeve në Kosovë po shoqërohet edhe me sfida të shumta sociale, veçanërisht për gratë që pas përfundimit të martesës përballen me paragjykime, vështirësi ekonomike dhe probleme në kujdesin për fëmijët.
Sociologu Eduart Sopaj vlerëson se martesa nuk duhet të shihet si një institucion i pathyeshëm, por si një raport në të cilin të dy partnerët duhet të ndihen të lumtur dhe të sigurt.
Sipas tij, rritja e shkurorëzimeve tregon se njerëzit nuk po zgjedhin më të qëndrojnë në martesa ku përjetojnë dhunë apo nuk ndihen rehat.
“Martesa nuk është një kështjellë e pathyeshme, por është diçka ku personat duan të ndihen rehat, jo ta shohin vetëm stabilitetin e tyre. Me rritjen e divorceve kuptojmë që njerëzit nuk po rrinë më në martesa të dhunshme apo ku nuk po ndihen rehat”, ka thënë Sopaj në emisionin "Ora shtatë" në Klan Kosova.
Ai ka përmendur edhe presionin shoqëror ndaj çifteve të reja si një nga faktorët që mund të ndikojë në marrjen e vendimeve të shpejta për martesë.
“Pse po vijmë deri te kjo pjesë? E kemi një presion të madh shoqëror që u bëhet çifteve të reja për të shkuar deri te martesa, dhe kjo i shtyn ata të marrin vendime të shpejta. Po ashtu, më herët martesa ka qenë jo vetëm lidhje mes dy personave, por edhe mes familjeve. Kështu nuk shihet më”, është shprehur ai.
Një tjetër çështje që sociologu e konsideron shqetësuese janë problemet me të cilat përballen çiftet pas shkurorëzimit, sidomos kur bëhet fjalë për kujdestarinë e fëmijëve dhe respektimin e vendimeve gjyqësore.
Sopaj thotë se gratë e divorcuara mund të gjenden në pozitë të pafavorshme ekonomike, pasi një pjesë e tyre gjatë martesës janë marrë me përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe nuk kanë qenë të punësuara.
“Problemi tjetër është se çfarë ndodh pas divorcit. Problemi që realisht nuk po i respektojnë vendimet. Problemi më i madh është te gratë. Një numër i madh i grave të divorcuara ose kanë qenë duke u përkujdesur për fëmijët, ose kanë qenë të papuna. Kur dalin para gjykatës, sigurisht që çështja e fëmijëve ndërlidhet edhe me gjendjen ekonomike. Është e padrejtë ndaj grave që t'u merren fëmijët nën përkujdesje të prindit tjetër vetëm për shkak të gjendjes ekonomike”, ka thënë Sopaj.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për paragjykimet me të cilat përballen gratë pas përfundimit të martesës, duke theksuar se shoqëria kosovare ende nuk i trajton në mënyrë të barabartë burrat dhe gratë e divorcuara.
“Duhet të ndalemi edhe te pjesa e paragjykimeve dhe ky është problemi më i madh si shoqëri në Kosovë. Mendoj që prapë, për aspektin e djemve është më e lehtë, ndërsa gratë paragjykohen shumë pas divorcit. Ato kanë probleme në punë, përballen me ngacmime seksuale dhe është një numër i madh që nuk pranohen në shoqëri”, ka deklaruar sociologu./Klankosova.tv

