Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takim lidhur me zbatimin e fushatës “Festo me zemër, jo me armë” dhe intensifikimin e aktiviteteve në bashkësi me anëtarët e forumeve të sigurisë së qyteteve të rajonit të Prishtinës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli vuri në dukje se, në aspektin e parandalimit, përveç Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencive të saj përkatëse, është e domosdoshme që edhe akterët e tjerë institucionalë, shoqëria civile, mediat dhe vetë qytetarët të marrin rolin e tyre aktiv në procesin e vetëdijesimit dhe sensibilizimit të shoqërisë.
“Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar mund të parandalojmë pasojat serioze që mund të vijnë nga posedimi i paligjshëm i armëve dhe veprimet e tjera kundërligjore, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së përbashkët”, theksoi zëvendësministri Dugolli.
Zëvendësministri Dugolli vuri në pah se misioni dhe angazhimi i përditshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj është ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të nivelit të sigurisë në Republikën e Kosovës. Nëpërmjet këtij partneriteti, synojmë jo vetëm garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët tanë.
Në fund, zëvendësministri Dugolli theksoi se, në muajt në vijim, por edhe vitin e ardhshëm, do të bëjmë një fushatë intensive për të bindur të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe bashkatdhetarët tanë të cilët kalojnë pushimet në Kosovë, se përdorimi i armës në festa dhe ahengje familjare është një veprim i kundërligjshëm dhe me pasoja deri te ato fatale për qytetarët. Ai tha se në fokus do të jenë edhe shkollat, përkatësisht mbajtja e aktiviteteve të ndryshme, sepse përfaqësojnë një komunitet shumë të ndjeshëm të shoqërisë sonë.
Në këtë takim, lidhur me ecurinë e fushatës dhe aktivitetet që do të ndërmerren vitin tjetër, kanë paraqitur pikëpamjet e tyre zyrtarë nga UNDP-ja, Policia e Kosovës, anëtarë të KKSB-së, si dhe të KLSP-ve.
Në këtë takim u konstatua se, si rezultat i fushatës ndërgjegjësuese që është mbajtur gjatë këtyre viteve, në vazhdimësi kemi rritje të numrit të rasteve të raportuara nga ana e qytetarëve për të shtëna me armë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, gjatë muajve qershor-korrik 2026, ka rritje: për 83.3% të raportimeve për përdorim të armëve gjatë ahengjeve/festave familjare; për 41.2% të personave të ndaluar nga Policia; për 56.7% të numrit të armëve të konfiskuara. /Telegrafi/





