Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është funksionalizuar ndriçimi publik në fshatrat Gushavc dhe Suhodoll, pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës këto zona kanë munguar nga ndriçimi publik.
Sipas njoftimit të komunës, ndërhyrjet në ndriçimin publik do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të territorit të Mitrovicës.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja, ka deklaruar se do t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe se investimet në infrastrukturën publike do të shtrihen në të gjitha pjesët e komunës.
“Rrugë pas rruge, lagje pas lagjeje, fshat pas fshati, i tërë qyteti i Mitrovicës do të ndriçohet”, ka thënë Muja.
Komuna ka bërë të ditur se përmirësimi i ndriçimit publik synon të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira dhe rritjen e sigurisë për banorët. /Telegrafi/