Wayne Rooney beson se Manchester City duhet të dënohet rëndë nëse shpallet përfundimisht fajtor për shkeljet financiare për të cilat është akuzuar nga Liga Premier.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit ka folur për këtë çështje në podcastin “Stick to United”, duke theksuar se nuk do të dëshironte që klubi i tij i dikurshëm të përfitonte titullin e Liga Premier për sezonin 2011/12, edhe nëse Man City do të privohej nga trofeu për shkak të shkeljeve financiare. Man Unitedi e përfundoi atë sezon në vendin e dytë, pas rivalëve të qytetit.
“Sinçerisht, nuk do të ndihesha rehat të pranoja një tjetër medalje të Ligës Premier, sepse nuk mendoj se e meritonim. Nuk bëmë mjaftueshëm atë sezon për ta fituar ligën”, ka thënë Rooney.
Megjithatë, ish-kapiteni i Anglisë ka shprehur mirëkuptim për futbollistët e Manchester Cityt, të cilët mund të mos kenë pasur dijeni për atë që po ndodhte në nivelet drejtuese të klubit.
“Ata dhanë gjithçka në fushë për ta fituar titullin dhe, në mendjet e tyre, e arritën. Nëse këta lojtarë nuk do ta kishin idenë se çfarë po ndodhte sipër tyre… nëse kjo do të më ndodhte mua, nëse Manchester Unitedi do të bënte të njëjtën gjë dhe papritmas do të më merrnin medaljet, do të isha absolutisht i shkatërruar”, ka deklaruar ai.
Rooney, megjithatë, kërkon një ndëshkim shumë më të ashpër për Manchester Cityn në rast se vendimi përfundimtar konfirmon shkeljet.
“Mendoj se do ta shohim Man Cityn të bjerë nga kategoria. Nuk e di saktësisht se si do të shkojë puna, por besoj se do të bjerë nga kategoria”, është shprehur Rooney.
Ai ka propozuar që City të dërgohet edhe më poshtë se Championshipi dhe që klubit t’i vendosen kufizime të forta në shpenzime për disa sezone. “Do t’i dërgoja në ligën më të ulët të mundshme dhe do t’u vendosja kufizime shpenzimesh për tre ose katër sezonet e ardhshme. Nëse i rrëzon në Championship, dhe e di që ky është një ndëshkim i madh, ata do të kthehen menjëherë”, ka thënë Rooney.
Sipas tij, një tjetër masë do të duhej të ishte edhe zbritja e pikëve për disa sezone, në mënyrë që Manchester City të mos rikthehej shpejt në nivelin ku ndodhet aktualisht.
“Do të zgjidhja ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, ka përfunduar Rooney. /Telegrafi/