A po fillojnë robotët të reagojnë ndaj njerëzve? Një video nga Rusia ka ndezur debat të madh në rrjetet sociale, pasi një robot duket se sulmon një klient me grushte dhe shkelma.
Pamjet, të publikuara nga një dyqan teknologjie në Saratov, tregojnë një robot që i afrohet një klienti në momentin kur ai hyn në dyqan.
Burri zgjat dorën, duke tentuar t’i japë dorën robotit, por pasi nuk merr asnjë reagim, ai e shtyn lehtë makinën, në atë që duket si një veprim me shaka.
Por vetëm pak sekonda më vonë, situata ndryshon në mënyrë të papritur, transmeton Telegrafi.
Roboti fillon të godasë klientin me një seri grushtesh dhe shkelmash. Dy punonjës të dyqanit ndërhyjnë menjëherë dhe përpiqen ta mbajnë robotin, i cili vazhdon të drejtohet nga klienti.
Videoja është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa shumë përdorues kanë ngritur shqetësime për sigurinë e robotëve të pajisur me inteligjencë artificiale.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse incidenti ishte real apo një skenë e inskenuar nga dyqani për të tërhequr vëmendjen. Deri tani nuk ka një konfirmim të pavarur për autenticitetin e pamjeve.
Ky nuk është rasti i vetëm që ka nxitur debat. Vetëm disa javë më parë, një robot humanoid gjatë një demonstrimi të arteve marciale në Kinë goditi aksidentalisht një fëmijë në bark me një shkelm rrotullues.
Roboti, i cili performonte para publikut në një kopsht botanik në Xinjiang, kaloi papritur në pozicion luftimi dhe ekzekutoi një goditje që përfundoi drejtpërdrejt te një djalë i vogël. Fëmija u përkul nga dhimbja dhe më pas ra drejt turmës.
Pamjet shkaktuan një tjetër valë reagimesh mbi sigurinë e robotëve humanoidë. /Telegrafi/