Është bërë sot rivarrimi i 8-vjeçarit Sinan Dauti, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Rivarrimi u bë në varrezat e lagjes Bregaj në Prekaz të Epërm të shtunën, ndërsa para disa dite u gjetën eshtrat e tij në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë.
Në ceremoninë e varrimit i pranishëm ishte edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Ndryshe, ditë më parë Komisioni qeveritar për persona të zhdukur kishte bërë të ditur se 8-vjeçari Sinan Dauti ishte zhdukur gjatë luftës.
8-vjeçari Dauti më 12 prill 1999 ishte plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas ndërroi jetë në Mitrovicë, si pasojë e plagëve.
Gjatë këtyre viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.
Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit, janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. /Telegrafi/