Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj në galanë bamirëse të organizuar nga amfAR në Londër, ku u shfaq me një veshje ekstravagante dhe një aksesor të pazakontë në kokë.
Artistja 35-vjeçare mori pjesë në ngjarjen e mbajtur të premten mbrëma në The Chancery Rosewood, e cila organizohet në kuadër të aktiviteteve që përkojnë me panairin e artit Frieze dhe Festivalin e Filmit të Londrës.
Gala mbrëmja synon të mbledhë fonde për kërkimet shkencore mbi HIV-in dhe AIDS-in, shkruan DailyMail.
Rita u shfaq me një xhaketë të gjerë, me jakë të theksuar dhe kopsa dekorative, të kombinuar me një fund të ngushtë të së njëjtës ngjyrë.
Pamjen e kompletoi me këpucë elegante me taka shumë të larta, ndërsa elementi që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte aksesori i madh në kokë, i cili ngrihej lart dhe i jepte paraqitjes një karakter edhe më të veçantë.
Këngëtarja pozoi para fotografëve në tapetin e kuq, duke dëshmuar edhe një herë se nuk heziton të eksperimentojë me stilin dhe të zgjedhë kombinime që dallojnë nga paraqitjet tradicionale të tapetit të kuq.
Paraqitja e saj në këtë gala vjen vetëm një ditë pas një tjetër daljeje publike që mori vëmendje, këtë herë në premierën e filmit të ri të bashkëshortit të saj, Taika Waititi, “Klara and the Sun”, në kuadër të Festivalit të Filmit të Londrës.
Edhe në atë event, Rita u shfaq me një veshje të pazakontë, duke zgjedhur një fustan të zi prej dantelle transparente, me fund voluminoz dhe një aksesor në formë gjembash në kokë.
Ajo pozoi krah bashkëshortit të saj, si dhe aktoreve Jenna Ortega dhe Amy Adams, të cilat janë pjesë e kastit të filmit.
Ndërkohë, emri i këngëtares është përmendur së fundmi edhe në lidhje me një çështje ligjore. Ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett, përmes kompanisë FAE Ventures, ka ngritur një padi ndaj artistes, duke pretenduar se i detyrohet rreth 3.2 milionë paundë nga të ardhurat e saj profesionale.
Sipas raportimeve të mediave britanike, pretendimet lidhen me pagesa nga turnetë muzikore dhe angazhimet televizive, të cilat kompania e ish-menaxheres pretendon se nuk janë llogaritur ose paguar sipas kushteve të kontratës.
Rita Ora dhe Sarah Stennett i dhanë fund bashkëpunimit në vitin 2024, pas një marrëdhënieje profesionale që kishte nisur në vitin 2009.
Në atë kohë, ndarja u raportua se kishte ardhur pas mosmarrëveshjeve lidhur me drejtimin e karrierës së këngëtares.
Çështja tashmë është kthyer në një betejë ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Ritës dhe të ish-menaxheres nuk kanë dhënë ende një përgjigje publike lidhur me pretendimet e fundit. /Telegrafi/

