KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Rimac i jep fund prodhimit të hiperveturës elektrike Nevera më herët se sa ishte planifikuar

Rimac i jep fund prodhimit të hiperveturës elektrike Nevera më herët se sa ishte planifikuar

Kompania kroate Rimac po përgatitet t’i japë fund prodhimit të hiperautomjetit elektrik Nevera, më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Aktualisht, prodhuesi po ndërton dhjetë njësitë e fundit të modelit Nevera R, të cilat pritet t’u dorëzohen klientëve deri në fund të këtij viti.

Në një video të publikuar në Instagram, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mate Rimac, bëri të ditur se që nga fillimi i dorëzimeve në vitin 2022 janë prodhuar gjithsej 71 automjete Nevera. Prej tyre, 51 janë versione standarde, ndërsa 20 janë të modelit Nevera R.

Kur kompania prezantoi në vitin 2018 konceptin që më vonë u shndërrua në Nevera, synimi ishte prodhimi i 150 njësive. Megjithatë, Rimac është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura.

Ai e cilësoi Neveran si hiperautomjetin elektrik më të shitur në botë dhe tha se suksesi i këtij modeli ka qenë vendimtar për zhvillimin e projekteve të tjera të kompanisë, transmeton Telegrafi.

“Pa të, sot nuk do të kishim Tourbillonin dhe as këtë fabrikë. Ajo e përmbushi misionin e saj. Mendoj se është një automjet mjaft i veçantë, që do ta ketë vendin e vet në histori”, deklaroi Rimac, duke falënderuar edhe pronarët që janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi.

Rimac e prezantoi për herë të parë Neveran në vitin 2018, në formën e konceptit C Two. Automjeti ishte pajisur me katër motorë elektrikë, të cilët prodhonin gjithsej 1.914 kuaj-fuqi.

Nevera mund të arrijë shpejtësinë prej 100 kilometrash në orë për vetëm 1,85 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale arrin në 258 milje në orë. Një çerek miljeje e përshkon për 9,1 sekonda. Versioni përfundimtar i prodhimit u prezantua në vitin 2021.

Modeli më i fuqishëm, Nevera R, zhvillon 2.107 kuajfuqi dhe përshpejton nga 0 në 100 km/orë për vetëm 1,74 sekonda. Ai arrin shpejtësinë prej 200 km/orë për 4,38 sekonda, ndërsa për të kaluar 300 km/orë i nevojiten vetëm 8,66 sekonda. Çerek miljen e përshkon për 8,23 sekonda.

Ndërkohë, Rimac Group është zgjeruar ndjeshëm përtej prodhimit të hiperautomjeteve. Një prej njësive të saj është Rimac Technology, e cila zhvillon dhe furnizon komponentë të avancuar për automjetet elektrike.

Grupi zotëron gjithashtu një pjesëmarrje të rëndësishme në Bugatti Rimac, ndërmarrjen e përbashkët të krijuar në vitin 2021. Nga ky bashkëpunim ka dalë edhe Bugatti Tourbillon, një hiperautomjet hibrid me tre motorë elektrikë dhe një motor V16 atmosferik prej 8.3 litrash, me fuqi totale prej 1.800 kuaj-fuqish.

Një tjetër projekt i kompanisë është Verne, një automjet autonom robotaksi, i ngjashëm në koncept me Cybercab-in e Tesla-s, si dhe shërbimi për transport me porosi. Rimac e prezantoi Verne-n në vitin 2024, ndërsa operimet i nisi në fillim të këtij viti. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.