Superliga e Kosovës në basketboll nis me një përballje që premton rivalitet dhe atmosferë të veçantë, pasi Rahoveci 029 do të përballet me Trepçën në xhiron e parë të sezonit të ri.
Ndeshja do të zhvillohet sot (e shtunë), më 19 shtator, nga ora 19:00, në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë ta nisin kampionatin me rezultat pozitiv.
Rahoveci 029 e pret këtë sfidë me ambicie të reja. Pas një sezoni të kaluar në të cilin mbijetesa u sigurua vetëm në xhiron e fundit, klubi gjatë verës ka punuar në ndërtimin e një skuadre më konkurruese, me synimin për të pasur një paraqitje dukshëm më të mirë në sezonin e ri.
Përballë do të jetë Trepça, kampionia aktuale e Kosovës, e cila vjen në Rahovec me objektiva të qarta për sezonin e ri.
“Xehetarët” janë përforcuar gjatë verës dhe synojnë ta mbrojnë titullin kampion, duke e nisur rrugëtimin pikërisht në një terren ku atmosfera pritet të jetë një prej elementeve të rëndësishme të sfidës.
Për Trepçën, sezoni i ri nuk kufizohet vetëm te garat vendore. Mitrovicasit do të marrin pjesë edhe në FIBA Europe Cup.
Në këtë mënyrë, dueli në “Mizahir Isma” vjen në një moment kur të dyja skuadrat kanë objektiva të ndryshme, por një qëllim të përbashkët për ta nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme./Telegrafi/