Nga: John Lennon (Revolution, singli i gushtit 1968)
Përktheu: Agron Shala[1]
Thoni se e doni revolucionin, epo, e dini
Të gjithë duam ta ndryshojmë botën
Më thoni se është evolucion, epo, e dini
Të gjithë duam ta ndryshojmë botën
Por, kur flisni për shkatërrim
A nuk e dini se mund të më lini jashtë kësaj?
A nuk e dini se gjithçka do të bëhet mirë?
Mirë
Mirë
Thoni se keni zgjidhje të vërtetë, epo, e dini
Të gjithë do të donim ta shihnim planin
Më kërkoni të kontribuoj, epo, e dini
Të gjithë bëjmë çfarë mundemi
Por, nëse ti do para për njerëz me mendje që urrejnë
Gjithçka që mund të të them, vëlla, është se duhet të presësh
A nuk e dini se gjithçka do të bëhet mirë?
Mirë
Mirë
Thoni se doni ta ndryshoni Kushtetutën, epo, e dini
Të gjithë duam t’jua ndryshojmë kokën
Më thoni se është institucioni, epo, e dini
Më mirë çlirojeni mendjen tuaj në vend të kësaj
Por, nëse dilni duke mbajtur fotografi të Kryetarit Mao
Sido që të jetë, nuk do t’ia dilni dot mbanë me askënd
A nuk e dini se gjithçka do të bëhet
Mirë
Mirë
Mirë
Mirë, mirë
Mirë, mirë
_______________
[1] Në singlin “Revolution”, të publikuar në gusht të vitit 1968 si ana B e “Hey Jude”, The Beatles – sidomos John Lennon – reagojnë ndaj valës së protestave politike të vitit 1968 në Evropë dhe ndaj lëvizjeve kundër Luftës së Vietnamit. Kënga nuk e refuzon nevojën për ndryshim, por refuzon dhunën si mjet për arritjen e qëllimit. Ajo kritikon kaosin, kërkon plan nga protestuesit dhe refuzon radikalizmin dhe urrejtjen si forcë shtytëse të politikës së ndryshimit. Lennon kritikon veçanërisht radikalët e majtë që mbanin portrete të Maos, duke sugjeruar se një politikë e tillë nuk do t’ua siguronte mbështetjen e të tjerëve.
Kënga u kritikua nga e majta radikale, sepse u perceptua si largim nga lufta revolucionare. Versioni më i ngadaltë, “Revolution 1”, i incizuar në maj dhe i publikuar më vonë në albumin e dyfishtë të njohur si “The White Album”, përmban një nuancë të qëllimshme paqartësie: Lennon thotë “count me out … in”. Vargjet “Por, kur flisni për shkatërrim / A nuk e dini se mund të më lini jashtë kësaj?” marrin kuptim të dyfishtë kur dëgjohet, si e heshtur, fjala e shtuar “in” – “brenda”: “A nuk e dini se mund të më lini jashtë (brenda) kësaj?”. Kjo shtesë është perceptuar shpesh si shenjë e pavendosmërisë së Lennonit ndaj dhunës politike.
Në të njëjtin album gjendet edhe pjesa “Revolution 9”, një kolazh zanor me fragmente orkestrale në distorsion, zëra njerëzish, të shtëna armësh dhe përsëritjen hipnotike të fjalëve “Numër nëntë … numër nëntë … numër nëntë”. Lennon e përshkroi atë si “një pikturë zanore të revolucionit”. Disa e interpretojnë si eksperiment muzikor avangard mbi psikologjinë e revoltës, ndërsa shumë të tjerë si shprehje të frikës nga dhuna dhe kaosi.

