Armend Dallku është rikthyer për herë të dytë në krye të Dukagjinit, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për ta bërë klubin nga Klina kundërshtar të vështirë për çdo ekip në Superligën e Kosovës.
Dukagjini ka pasur një fillim pozitiv të sezonit, duke regjistruar tri fitore dhe tri barazime, ndërsa aktualisht posedon edhe mbrojtjen më të mirë të kampionatit.
Në një intervistë për Telegrafin, Dallku ka folur për arsyet që e shtynë të rikthehej në Klinë, paraqitjet e skuadrës në këtë fillim të sezonit, filozofinë e tij të punës, objektivat e klubit dhe sfidën e radhës ndaj kampionit në fuqi, Dritës.
“Me paraqitjet e Dukagjinit jam jashtëzakonisht i kënaqur. E kam thënë edhe më herët, nuk e kisha paramenduar një start të tillë, duke marrë parasysh që brenda grupit ka pasur ndryshime të futbollistëve”, ka thënë Dallku fillimisht.
“Ka pasur futbollistë që nuk na njohin, ka pasur futbollistë që teorikisht kanë dëgjuar për neve, mirëpo nuk e kanë pasur mundësinë të punojnë me ne. Mirëpo kemi pasur edhe futbollistë që i kemi pasur në të kaluarën, kjo na ka ndihmuar shumë duke pasur parasysh që ata na njohin dhe i dinë kërkesat tona”.
Rikthimi në Klinë, sipas Dallkut, nuk ka kërkuar ndonjë bindje të veçantë. Ai e njeh mirë ambientin e klubit dhe ka ruajtur marrëdhënie të mira me presidentin Fabian Veseli edhe gjatë periudhës kur nuk ishte pjesë e Dukagjinit.
“Te Dukagjini nuk ka pasur nevojë me na bind asgjë, duke marrë parasysh se ne e kemi njohur shumë mirë ambientin, e kemi ditur me kë kemi punë aty. Aty është një president i klubit siç është Fabian Veseli, të cilin e falënderoj për besimin. Kemi marrëdhënie shoqërore shumë të mira mes vete dhe gjithmonë kemi mbajtur kontakte edhe gjatë kohës sa unë nuk kam qenë trajner i Dukagjinit”, ka treguar Dallku.
“Me të marrë ftesën e kemi konsideruar që është një mundësi e mirë. Në Klinë ekzistojnë kushte shumë të mira për punë, duke pasur parasysh që i kemi dy fusha shumë afër njëra-tjetrës edhe fushën me bari natyral që është në gjendje fantastike, ku po shihet dita-ditës që stadiumi po merr një pamje të një stadiumi evropian”, deklaroi Dallku.
Tekniku 43-vjeçar beson se rezultatet e deritashme nuk janë të rastësishme dhe se Dukagjini mund të jetë një kundërshtar i vështirë për secilën skuadër në Superligë. Filozofia e tij është që ekipi të mos bëjë dallime mes kundërshtarëve, pavarësisht pozitës së tyre në tabelë.
“Pa diskutim që Dukagjini do të jetë arrë e fortë për të gjithë. Motoja jonë që futbollistët tashmë e dinë është që ne do të dalim dhe të ballafaqohemi me çdo kundërshtar, pavarësisht tabelës së klasifikimit, se ku gjendet ai ekip, a është në krye të tabelës apo është poshtë”, ka thënë Dallku.
“Ne do të ballafaqohemi si të barabartë me të gjithë. Kjo është motoja jonë, me respekt ndaj çdo kundërshtari, por frikë askujt”, shtoi ai.
Një prej pikave kryesore të suksesit të deritashëm, sipas Dallkut, është grupi dhe jo ndonjë individ i veçantë. Trajneri kërkon që skuadra të funksionojë si një tërësi dhe të ketë konkurrencë brenda saj.
“Elementi kryesor, unë mendoj që është grupi, duke pasur parasysh që ne gjithmonë tentojmë ta ndërtojmë një grup konkurrues, një grup shumë kompetitiv. Nuk bazohemi te individët, sepse një individ mund ta fitojë një ndeshje, mirëpo të gjitha ndeshjet e kampionatit nuk mund t’i përballojë vetëm një individ”, ka theksuar Dallku.
Pikërisht kjo qasje lidhet edhe me objektivat e Dukagjinit. Dallku nuk dëshiron të vendosë kufij për skuadrën, por kërkon që në çdo ndeshje ekipi i tij të jetë maksimalisht i përgatitur.
“Objektivi kryesor i Dukagjinit është që të dalim në çdo ndeshje, të ballafaqohemi me çdo kundërshtar. Diferencat në futbollin e Kosovës nuk besoj që janë aq të mëdha, kështu që objektivi kryesor është që në çdo ndeshje të përgatitemi më së miri, sepse mundësitë i kemi pa diskutim”, ka deklaruar ai.
Në xhiron e ardhshme, Dukagjini do të ketë një test të rëndësishëm, pasi në Klinë do të presë Dritën, kampionen në fuqi. Për Dallkun, respekti për kundërshtarin është i madh, por skuadra e tij do të hyjë në fushë me synimin për të marrë maksimumin.
“Xhiron e ardhshme ballafaqohemi me Dritën. Edhe Dritën do ta presim në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne do të tentojmë të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, duke pasur parasysh që Drita është ekip shumë i mirë, me shumë individë dhe mund të themi një ekip evropian, duke marrë parasysh përvojën që kanë arritur duke marrë pjesë në garat evropiane”.
“Respekt për çdo kundërshtar, unë e di që brenda grupit tim kam lojtarë me karakter dhe në fund pres që ta marrim maksimumin nga kjo ndeshje”, përfundoi Dallku./Telegrafi/