Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, ka ngritur në seancën plenare shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve të rinj, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa për punësimin dhe zhvillimin e tyre profesional.
Reshitaj tha se, si deputete dhe profesoreshë e tyre, e ndien obligim profesional, moral dhe institucional që t’i adresojë kërkesat e të rinjve, të cilëve iu bashkua edhe në protestën e mbajtur para Ministrisë së Shëndetësisë.
Ajo theksoi se, pavarësisht viteve të studimit dhe sakrificave, shumë të rinj të diplomuar në mjekësi vazhdojnë të përballen me papunësi, ndërsa disa prej tyre detyrohen të emigrojnë.
“Sot, nga kjo foltore, dua të sjell zërin e studentëve të mjekësisë dhe të mjekëve të rinj, të cilëve iu bashkova në protestë para ministrisë së Shëndetësisë. Jo vetëm si deputete, por edhe si profesoresha e tyre, e ndiej obligim profesional, moral por dhe institucional që të adresoj shqetësimet e tyre. Janë të rinj që kanë kaluar vite të tëra në studime, punë dhe sakrifica, ndërsa sot, në vend që të jenë pranë pacientëve, detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën e tyre për punë dhe zhvillim profesional”, ka deklaruar ajo.
Sipas të dhënave që prezantoi Reshitaj, rreth 650 mjekë kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2021-2026, ndërsa rreth 450 të tjerë janë të papunë. Ajo tha se disa prej tyre presin për punësim më shumë se tre vjet, derisa mbi 2 mijë infermierë kanë emigruar brenda katër vjetësh.
Reshitaj i cilësoi këto shifra alarmante dhe tha se kërkesat e studentëve dhe mjekëve të rinj janë konkrete.
Ndër to përmendi hartimin e një plani vjetor të punësimit, përfshirë edhe zonat rurale, hapjen e specializimeve mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës, si dhe vlerësimin e drejtë të përvojës së punës.
Po ashtu, ajo kërkoi pagesën e stazhit gjashtëmujor dhe njohjen e tij si përvojë pune, duke e cilësuar diskriminuese përparësinë që u jepet kandidatëve me përvojë pune, kur të tjerët nuk kanë pasur mundësi të punësohen.
Reshitaj kërkoi gjithashtu rritjen e pagave dhe sigurimin e kushteve të barabarta të punës për punëtorët shëndetësorë.

