Sipas raportimeve të Diario AS, Real Madrid po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së parakohshme të kontratës me Ferland Mendy, duke ndjekur një strategji të ngjashme me atë që klubi përdori më parë në rastin e Eden Hazard.
Situata e mbrojtësit të majtë francez është komplikuar ndjeshëm pas transferimit të Marc Cucurella për 60 milionë euro, një lëvizje që ka ndryshuar balancat në repartin defensiv të madrilenëve dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e disa lojtarëve në atë pozicion.
Edhe pse Mendy vazhdon të vlerësohet për sigurinë dhe stabilitetin që ofron në fazën mbrojtëse, problemet e vazhdueshme fizike kanë ndikuar rëndë në karrierën e tij.
Francezi ka pësuar plot 24 lëndime serioze gjatë viteve të fundit, një statistikë që sipas raportimeve ka shtyrë drejtuesit e klubit të rishikojnë planet për të ardhmen e tij.
Situata është bërë edhe më e vështirë pas operacionit që ai iu nënshtrua në muajin maj.
Periudha e rikuperimit pritet të zgjasë deri në nëntor, duke e bërë pothuajse të pamundur një transferim gjatë afatit veror.
Për këtë arsye, Real Madridi po konsideron seriozisht zgjidhjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët, çka do t’i mundësonte klubit të kursejë një pagë bruto vjetore prej rreth nëntë milionë eurosh.
Njëkohësisht, kjo do t’i jepte Mendyt mundësinë për të kërkuar një aventurë të re në karrierën e tij sapo të rikuperohet plotësisht nga lëndimi./Telegrafi/
