Real Madridi ka vënë në shënjestër një prej mesfushorëve më premtues të Ligës Premier dhe po planifikon të tentojë transferimin e tij në afatin kalimtar të janarit 2027.
Real Madridi vazhdon të monitorojë nga afër situatën e Adam Wharton, me drejtuesit e klubit që po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të mesfushorit anglez në fillim të vitit 2027.
Sipas gazetarit Ekrem Konur, klubi madrilen e sheh Wharton si një përforcim të rëndësishëm për mesfushën. Ndërkohë, Crystal Palace pritet të kërkojë rreth 87 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit.
Wharton është konsoliduar si një prej mesfushorëve të rinj më interesantë në Ligën Premier që prej transferimit te Crystal Palace në janar të vitit 2024, kur u largua nga Blackburn Rovers.
Që nga transferimi në Selhurst Park, anglezi ka regjistruar 100 paraqitje zyrtare, me një gol dhe 12 asistime.
Crystal Palace arriti ta mbajë futbollistin edhe gjatë afatit të fundit kalimtar, por klubi londinez pritet të jetë i gatshëm të negociojë për shitjen e tij nëse merr një ofertë që arrin shifrën prej 87 milionë eurosh.
Në Madrid, Wharton shihet si një profil që mund t’i japë më shumë alternativa skuadrës në rolin e mesfushorit defensiv, një repart ku drejtuesit madrilenë kërkojnë të shtojnë konkurrencën dhe opsionet.
Edhe pse çmimi i vendosur nga Crystal Palace konsiderohet i lartë, në “Santiago Bernabeu” besojnë se kjo shumë pasqyron realitetin e tregut, sidomos duke marrë parasysh shifrat e mëdha që klubet angleze kanë paguar dhe kërkuar për futbollistë të rinj.
Konkurrencë e fortë nga klubet angleze
Real Madridi nuk është klubi i vetëm që ka shfaqur interesim për mesfushorin anglez.
Chelsea, Liverpooli dhe Newcastle United gjithashtu po e monitorojnë situatën e Wharton dhe kanë shfaqur interes për mundësinë e transferimit të tij.
Chelsea e konsideron atë një opsion për të menaxhuar më mirë rotacionin në mesfushë, veçanërisht në rolin ku aktivizohet Moises Caicedo.
Në anën tjetër, Liverpooli kërkon një mesfushor me karakteristika më të theksuara defensive, i cili do t’u mundësonte Alexis Mac Allisterit dhe Dominik Szoboszlait të kishin më shumë liri në fazën kreative.
Pavarësisht konkurrencës nga klubet e Ligës Premier, mundësia për t’u transferuar në La Liga dhe për të luajtur për Real Madridin mbetet një opsion tërheqës për Wharton.
Sipas raportimeve, skautët e Real Madridit pritet ta ndjekin nga afër mesfushorin gjatë ndeshjeve të Crystal Palace në tetor dhe nëntor të vitit 2026.
Drejtuesit madrilenë synojnë që në javën e parë të dhjetorit të nisin kontaktet direkte me Crystal Palace, me synimin për të arritur një marrëveshje përpara hapjes së afatit kalimtar dimëror më 1 janar 2027.
Nëse Real Madridi vendos të bëjë ofertën e kërkuar prej 87 milionë eurosh, Wharton mund të bëhet një prej objektivave kryesorë të klubit për përforcimin e mesfushës. /Telegrafi/