Këngëtarja britanike, Raye, ka njoftuar se do ta çojë në turne shfaqjen e saj orkestrale This Symphony May Contain Hope, pas interesimit të jashtëzakonshëm për koncertin e planifikuar në Royal Albert Hall të Londrës.
Sipas këngëtares, 1.8 milionë persona u regjistruan për të siguruar një nga 5,000 vendet e disponueshme për performancën e 23 tetorit.
Turneu do të përfshijë shtatë shfaqje në disa vende, mes tyre Mbretëria e Bashkuar, Kina, Zvicra, Italia, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Gana, shkruan DailyMail.
Ky zgjerim do t’u japë më shumë fansave mundësinë ta ndjekin nga afër projektin, i cili sjell një version orkestral të albumit të saj të dytë, This Music May Contain Hope, të publikuar në mars.
Për këtë projekt, Raye do të bashkëpunojë me Heritage Orclhestra dhe Flames Collective. Ajo ka publikuar gjithashtu një version të veçantë orkestral të këngës Click Clack Symphony, në bashkëpunim me kompozitorin Hans Zimmer, i disponueshëm në platformat e transmetimit dhe në formatin vinil 12-inç.
Interesimi i madh për koncertin në Londër u shoqërua edhe me probleme në sistemin e regjistrimit.
Raye bëri të ditur se procesi u mbingarkua nga rishitësit e biletave, të cilët dyshohet se përdorën robotë të inteligjencës artificiale për të krijuar qindra mijëra regjistrime të rreme.
Për të shmangur përfundimin e biletave në duart e rishitësve dhe shitjen e tyre me çmime shumë më të larta, këngëtarja dhe ekipi i saj vendosën të shqyrtonin manualisht regjistrimet, me synimin që përparësi të kishin fansat e vërtetë.
Personat e përzgjedhur do të marrin me email lidhjen dhe kodin për parashitjen e biletave. /Telegrafi/

