Spitali Rajonal i Prizrenit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me rastin e raportuar të një vajze 26-vjeçare, e cila vdiq tragjikisht pasi dyshohet se kishte gëlltirur një qese me drogë.
Njoftojmë opinionin publik se gjatë mbrëmjes së djeshme, rreth orës 19:00, në Emërgjenvcën e Spitalit të përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa’ në Prizren është sjellë nga Policia Kosovës një paciente, e moshës 26 vjeçare, me dyshimin për gëlltitjen e një qeseje që dyshohej se përmbante substancë narkotike.
Me rastin e pranimit, pacientes i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë ekzaminimin radiologjik (RTG nativ të traktit torako-abdominal), ultrazërin e abdomenit, si dhe ekzaminimin gjinekologjik. Sipas rezultateve të ekzaminimeve të realizuara, nuk janë evidentuar gjetje pozitive. Pacientja ka qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe, pas vlerësimit mjekësor, është liruar nga emergjenca.
Rreth orës 00:45, e njëjta paciente është sjellë sërish në Shërbimin e Emergjencës, nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale. Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RKP), si dhe është konsultuar mjeku anesteziolog. Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra nga ekipi mjekësor, pacientja ka përfunduar me exitus letalis.
Institucioni ynë shpreh keqardhje të thellë për këtë rast tragjik dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen e pacientes.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit, theksojmë se të gjitha rrethanat që lidhen me këtë ngjarje duhet të trajtohen dhe sqarohen nga organet kompetente, në përputhje me procedurat ligjore dhe profesionale.
Institucioni ynë mbetet i gatshëm për bashkëpunim të plotë me organet kompetente dhe për ofrimin e të gjithë dokumentacionit dhe informacionit të nevojshëm për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit
Spitali i Përgjithshëm
“Prim.Dr.Daut Mustafa”

