Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se nga 10 korriku kanë filluar të paraqiten pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.
Sipas njoftimit të Klinikës, pacientët janë paraqitur me simptoma si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, ndërsa ankesat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
Nga 10 deri më 13 korrik 2026, në Klinikën Infektive kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 70 persona. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.
Të gjitha rastet e hospitalizuara, sipas QKUK-së, janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse.
“Pacientët e hospitalizuar janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në përputhje me gjendjen e tyre klinike”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
Kjo vjen pas raportimeve për dyshime për helmim nga ushqimi në Prishtinë, ku Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur për Telegrafin se ka pranuar informacionet lidhur me rastin dhe se prokurori i shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. /Telegrafi/
