Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, vlerëson se presidentja Justina Shiroka – Pula mund të ndikojë në uljen e polarizimit dhe ndryshimin e kulturës politike në Kosovë, duke nxitur dialog dhe respektim të balancave institucionale.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Rashiti ka thënë se kredibiliteti politik, institucional dhe intelektual i presidentes krijon mundësi për marrëdhënie më të mira ndërmjet partive dhe drejtuesve të institucioneve.
“Pranë presidentes së re është shumë e vështirë të jesh polarizues. Presidentja e re do të jetë një lloj profesoreshe për aktorët politikë”, ka deklaruar ai.
Rashiti ka shprehur bindjen se autoriteti i saj intelektual mund të ndihmojë në ndërtimin e një marrëdhënieje të re politike, duke tejkaluar konfliktet dhe praktikat që, sipas tij, kanë cenuar sistemin kushtetues.
“Unë besoj që presidentja do të ketë autoritet të fuqishëm intelektual mbi palët, për të ndërtuar një marrëdhënie tërësisht të re politike mes subjekteve politike, por edhe bartësve të institucioneve”, është shprehur Rashiti.
– YouTube www.youtube.com
Ai ka vlerësuar se marrëveshja politike që mundësoi zgjedhjen e presidentes është një hap pozitiv, por kjo kulturë bashkëpunimi duhet të vazhdojë edhe për çështje të tjera institucionale.
Sipas tij, një ndër detyrat kryesore të presidentes është ruajtja e rendit kushtetues dhe e balancës ndërmjet pushteteve. Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe nevojën për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përmes respektimit të kritereve ligjore dhe kushtetuese.
Rashiti ka theksuar se roli i presidentes kërkon një qasje që qëndron mbi konkurrencën partiake dhe krijon hapësirë për komunikim me të gjitha subjektet parlamentare.
“Kryeministri është i një subjekti politik dhe mund të jetë polarizues kundrejt opozitës, sepse është një garë politike. Por jo presidentja”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.
Përveç dialogut mes partive, Rashiti kërkon që presidentja të ndërtojë marrëdhënie me komunitetet, veteranët, organizatat joqeveritare dhe segmentet e tjera të shoqërisë, në funksion të rolit të saj unifikues.
Megjithatë, ai ka bërë dallimin ndërmjet pritjeve dhe veprimeve që mbetet të dëshmohen gjatë mandatit. Sipas Rashitit, presidentja ndodhet në një pozicion të favorshëm për të nxitur bashkëpunimin, por rezultati do të varet nga mënyra se si ajo e ushtron këtë përgjegjësi. /Telegrafi/

