Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, duke komentuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi për rolin e Beogradit në zhvillimet politike te komuniteti serb në Kosovë, ka përmendur edhe aspektin financiar që po përdoret për të intimiduar serbët në Kosovë që nuk e përkrahin Listën Serbe.
Ai ka folur edhe për raportin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.
“Aty do të përdoren të gjitha mjetet zyrtare dhe jo zyrtare, dhe ju e dini kush e udhëheq krejt këtë proces dhe dhe nga vijnë krejt këto financa…”, ka shtuar Rashiq shkruan Telegrafi.
Ndryshe, Radoiçiq ishte ish nënkryetar i Listës Serbe dhe përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë.
Gjatë diskutimit për presionin ndaj serbëve që nuk mbështesin Listën Serbe, Rashiq tha se heshtja dhe mungesa e reagimit nga Vuçiqi për situatën e largimeve dhe presioneve të serbëve në Kosovë tregon shumë për raportin mes tyre.
“Mosreagimi i Vuçiqit, çka tregon? Tregon se sa të ndërlidhur janë ata dy persona”, deklaroi Rashiq, shkruan Telegrafi.
Ai tha se në rrethana të tilla, mungesa e reagimit të qartë nga Beogradi, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtete të ndryshme evropiane, e bën edhe më të vështirë situatën për serbët që mendojnë ndryshe në Kosovë.
“Kur nuk keni as reagim, as ndonjë formë të qartë nga Bashkimi Evropian apo shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian, as edhe një letër apo thirrje që procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe të mos interferohet, atëherë ju e kuptoni me çfarë fuqie të madhe po ballafaqoheni”, tha ai.
– YouTube youtu.be
Rashiq shtoi se përballë një presioni të tillë nuk ka shumë opsione, por sipas tij, ai nuk do të tërhiqet nga parimet e tij politike.
“Cilin opsion e kam? Nuk kam prapa. Unë po vazhdoj për shkak të parimeve të mia, të cilat i kam zhvilluar gjatë 20 viteve të fundit”, u shpreh Rashiq.
Ai theksoi se toleranca dhe bashkëjetesa janë e vetmja rrugë për të ardhmen e komuniteteve në Kosovë.
“Toleranca dhe bashkëjetesa janë e vetmja mënyrë, nuk ka mënyrë tjetër”, deklaroi ai.
Sipas Rashiqit, problemi qëndron te qasja e Beogradit ndaj zërave serbë që mendojnë ndryshe nga Lista Serbe dhe politika zyrtare e Serbisë.
“Tash vjen një radikal ekstrem, një diktator, i cili konsideron se kushdo që mendon ndryshe duhet të përfundojë”, tha Rashiq.
Rashiq tha se presioni ndaj tij dhe partisë së tij është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ruajtur kontrollin politik mbi komunitetin serb në Kosovë dhe për të mos lejuar pluralizëm brenda këtij komuniteti. /Telegrafi/
