KORREKT / SOT14 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Raportimet se u arratis në Rusi – Milan Radoiçiç mund të ketë përdorur pasaportë false, gjykata s’ka informata

Raportimet se u arratis në Rusi – Milan Radoiçiç mund të ketë përdorur pasaportë false, gjykata s’ka informata

Pas sulmit në Banjskë dhe pranimit të përgjegjësisë për organizimin e sulmit, ndaj Milan Radoiçiçit po zhvillohet një proces gjyqësor në Beograd. Atij i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar largimi nga vendi.

Megjithatë, një ish-inspektor i BIA-s i ka deklaruar televizionit N1 se ka informacione që Radoiçiç është larguar drejt Rusisë. Institucionet shtetërore nuk kanë dhënë asnjë njoftim për këtë çështje. Pyetjes së N1 i është përgjigjur vetëm Gjykata e Lartë, por lidhur me masat e sigurisë ndaj Radoiçiçit dhe jo me vendndodhjen e tij.

Për shkak të çështjes së Banjskës, fillimisht atij iu sekuestrua pasaporta. Më pas, Milan Radoiçiç u bë person i kërkuar nga Interpoli. Që prej vitit 2023, atij i ndalohet të largohet nga Serbia, pasi mori përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë.

“Milan Radoiçiç, sipas informacioneve jozyrtare që disponoj, është larguar dje nga Republika e Serbisë dhe ndodhet në Rusi, në Federatën Ruse”, deklaroi ish-inspektori i BIA-s, Milan Zvezdanoviç.

Në Gjykatën e Lartë nuk kanë informacion nëse Radoiçiç është larguar nga Serbia. Për N1, gjykata bëri të ditur se atij i ndalohet ende të largohet nga vendbanimi pa miratimin e saj.

“Masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi, e vendosur ndaj Milan Radoiçiçit, është zgjatur për herë të fundit me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, më 30 shtator 2026. Ajo mund të zgjasë deri në marrjen formë të prerë të vendimit gjyqësor ose deri në dërgimin e të pandehurit për të vuajtur një dënim që përfshin heqjen e lirisë. Gjykata është e detyruar të shqyrtojë çdo tre muaj nëse vazhdimi i kësaj mase është ende i justifikuar”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë në Beograd.

Mund të jetë larguar vetëm me pasaportë false ose të një personi tjetër

Milan Radoiçiç është gjithashtu i detyruar të paraqitet në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15. Sipas Gjykatës së Lartë, ai e ka përmbushur këtë detyrim më 1 nëntor.

Gazetari Ivan Miliçeviç thotë se krijohet përshtypja se as institucionet përgjegjëse nuk kanë informacion nëse Radoiçiç është larguar nga Serbia.

“Nesër edhe gjykata duhet ta dijë, pasi policia ta njoftojë nëse Milan Radoiçiç është paraqitur apo jo. Nëse rezulton se ai nuk është paraqitur dhe vërtet është larguar, duke qenë se pasaporta i është dorëzuar gjykatës dhe i është sekuestruar, kjo do të nënkuptonte se Milan Radoiçiç është në arrati dhe se ka shumë gjasa të jetë larguar nga vendi me një dokument udhëtimi ose pasaportë false, apo të një personi tjetër”, vlerëson gazetari i portalit Nova.rs, Ivan Miliçeviç.

“A është larguar vetë nga Serbia apo është një dëshmitar i padëshiruar?”

Pyetjes nëse Radoiçiç është larguar nga vendi dhe me çfarë dokumenti udhëtimi mund ta ketë bërë këtë, Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj televizionit N1.

As gazetarët në veri të Kosovës nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Kryeredaktorja e portalit Kossev, Tatjana Lazareviç, thotë se kjo nuk është diçka që e habit.

“Nëse rezulton e vërtetë se Milan Radoiçiç është larguar nga Serbia, shtrohet pyetja: a është larguar ai me iniciativën e tij apo është një dëshmitar tepër i papërshtatshëm dhe i padëshiruar?”, shprehet Lazareviç.

Ndoshta edhe dikush që di shumë gjëra. Milan Radoiçiç prej vitesh konsiderohet bashkëpunëtor i afërt i regjimit aktual në pushtet në Serbi. Nuk është sekret se ai është shfaqur në tubimet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Herën e fundit ai u filmua rreth një muaj më parë në Kragujevc, së bashku me Danilo Vuçiçin, djalin e presidentit të mëparshëm të Serbisë. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që shfaqeshin bashkë.

“Në janar të vitit 2018, gjatë vizitës së presidentit të atëhershëm të Serbisë në Banjskë, pas atentatit ndaj Oliver Ivanoviçit, aty ishte parë edhe djali i presidentit Vuçiç. Në atë kohë, Milan Radoiçiç ishte gjithashtu i pranishëm dhe kishte një rol të rëndësishëm. Tani shtrohet pyetja se kush po mbron kë dhe kush është peng i kujt”, thekson Lazareviç.

Se kush e mbron Milan Radoiçiçin, duket se nuk është më sekret. Në korrik, N1 siguroi informacione se dy pjesëtarë të Xhandarmërisë shërbejnë si truproja të tij personalë, ndërkohë që në këtë njësi figurojnë si punonjës me raport mjekësor.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.