Në Bruksel është prezantuar të mërkurën Raporti i Zgjerimit të Bashkimit Evropian për dhjetë vendet që synojnë anëtarësimin në BE, ku për Kosovën janë evidentuar një sërë vërejtjesh dhe kërkesash për reforma.
Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka thënë se Kosovës i nevojitet stabilitet politik për të zhbllokuar përparimin në rrugën drejt integrimit evropian.
Ajo ka theksuar se gjatë pjesës më të madhe të periudhës së raportimit, Qeveria e Kosovës ka qenë në detyrë, ndërsa ka përshëndetur faktin që integrimi evropian është prioritet i ekzekutivit të ri.
Megjithatë, Kos ka shprehur shqetësim për ndryshimet e propozuara në legjislacionin që lidhet me Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se ato mund ta zvarrisin procesin.
“Zotimet duhet të respektohen”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Kosova ende nuk ka marrë përgjigje për aplikimin për statusin e vendit kandidat, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022.
Sipas saj, për të bindur shtetet anëtare që të ecin përpara me procesin, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe rezultate konkrete në zbatimin e reformave.
Në raport, Kosova për herë të parë është përgëzuar për harmonizimin e plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, në fushat e tjera janë evidentuar sfida të shumta. Në sundimin e ligjit thuhet se nuk ka pasur përparim në gjyqësor, ndërsa rezultatet në luftën kundër korrupsionit vlerësohen si të kufizuara. Raporti po ashtu thekson se krizat politike kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve.
Përveç reformave të brendshme, një tjetër çështje e rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të të dyja vendeve dhe se ka marrë zotimin e liderëve për një takim të përbashkët trepalësh.
Ajo ka bërë të ditur se përgatitjet për këtë takim kanë nisur dhe se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun po punon në këtë drejtim.
Kallas ka shprehur gatishmërinë për ta çuar përpara procesin, duke theksuar se realizimi i takimit trepalësh pritet edhe pas formimit të Qeverisë së re në Beograd.
Detajet në kronikën e mëposhtme:

