KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Raporti i ndërlikuar BE-Kosovë

Raporti i ndërlikuar BE-Kosovë

Shkruan: Blerim Shala

 Kosova është shtet në Evropë, por nuk është shtet i Evropës, i Bashkimit Evropian. Dhe Zoti e di kur do të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Aleanca e Atlantikut Verior është në Kosovë qëmoti, nga qershori i vitit 1999 (çlirimi i Kosovës), dhe që prej ditës së parë të pavarësisë së Kosovës (viti 2008), por Kosova nuk është shtet anëtar i Paktit NATO. Dhe Zoti e di kur do të bëhet shtet anëtar i Aleancës.

Këto konstatimet e mësipërme, ndryshe, krejtësisht faktike, nuk janë pasojë e Rusisë dhe politikës së saj, apo, konsekuencë e akëcilit shtet tjetër jashtë BE-së dhe Paktit NATO.

Në anën tjetër dihet që pa SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, Kosova kurrë nuk do të çlirohej dhe kurrë s’do të bëhej shtet.

Dhe Kosova s’kërkon dhe nuk synon gjë tjetër pos që sa më parë që është e mundur, flamuri i saj të ngritët në Bruksel, në selinë e NATO-s dhe të BE-së.

Natyrisht, nuk kalon takim i rëndësishëm i zyrtarëve të Kosovës me përfaqësues të BE-së dhe NATO-s, ku nuk përmendet që Kosova ka perspektivë evropiane dhe euro-atlantike.

Përmenden në atë rast ndryshimet dhe reformat që duhet bërë këtu, pastaj respektimin e sundimit të ligjit dhe atë të ndarjes së pushteteve, dhe formulime të ngjashme të cilat përsëriten shpesh, por tej atyre, nuk e di kush i lemë (si thuhet), atje në Bruksel, apo edhe në kryeqendrat e tjera të mëdha të BE-së, se kur dhe si Kosova do të mund t’ia dalë në qëllimin e saj sipëror ndërkombëtar.

Natyrisht, kush nuk e ka guximin në BE të na thotë troç që edhe sikur të bëhemi Zvicër (teksa Zvicër nuk është asnjëri shtet i vetëm i BE-së dhe i NATO-s, dhe kurrë nuk do të bëhet, sepse Zvicra është shtet shumë i veçantë dhe i organizuar të thuash në mënyrë të përsosur), ne nuk do të mund të hymë dot për disa vite në atë portën kryesore të NATO-s dhe të BE-së, sepse këtu kemi të bëjmë me shtetet anëtare të këtyre dy organizatave/ strukturave më të larta perëndimore, të cilat nuk e njohin (tutje) pavarësinë e Kosovës.

Në këtë kontekst, vlen të përmendet një tjetër fakt i njohur që konfirmon këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit në mes të këtyre dy shteteve me 21 mars, 2018, (teksa ky ishte kushti i fundit i Komisionit Evropian që qytetarët e Kosovës ta fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Zonën e Schengenit), teksa vetëm me 1 janar të vitit 2024 kosovarët hoqën qafe regjimin e vizave.

Pra, kjo ndodhi me vonesë që njihte të thuash gjashtë vjet të plota.

Sa e gjatë do të jetë një tjetër vonesë këtë askush nuk e di. Ajo ka të bëjë me mungesën e përgjigjes së BE-së ndaj Aplikacionit të Kosovës, të bërë në muajin dhjetor të vitit 2022 (pra, së shpejti bëhen katër vjet), për ta marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Dëgjohen (dhe lexohen) shumë justifikime pse tutje nuk ka gatishmëri në Bruksel që shtetit të fundit të Ballkanit Perëndimor t’i ofrohet ky status. Por objektivisht, e tëra ka të bëjë me mungesën e unitetit në BE karshi Kosovës si shtet të pavarur.

E dimë ne që ky rrugëtimi ynë kah BE-ja do të jetë i gjatë, i lodhshëm, i mundimshëm (mbase pak më i lehtë mund të jetë udhëtimi ynë kah Aleanca Veri-Atlantike), siç ka qenë zaten, e gjithë historia e jonë e re, në atë harkun kohor që lidhë të thuash gjithë shekullin XX.

Sidoqoftë, këtë rrugë nuk mund ta bëjmë vetëm ne.

I kemi njëqind të meta me të cilat duhet të merremi përditë. Jo vetëm për shkak të synimit tonë që të hynë në NATO dhe në BE. Mbi të gjitha, sepse duam të jemi shtet i qëndrueshëm, në të gjitha aspektet e mundshme.

Por BE-ja duhet të na tregojë shumë më qartë, tej atyre formulimeve të rëndomta mediatike, çfarë e ka ndërmend të bëjë me ne tash e tutje, dhe cila është rruga që duhet ta kalojmë për të mbërri në stacionin e fundit të këtij shteti, në Bruksel.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.