Kryeministri Albin Kurti ka publikuar raportin me të arriturat e Qeverisë Kurti 2, në një dokument prej 57 faqesh.
Për rezultatet e paraqitura në këtë raport është diskutuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ku Gazmend Morina, Anita Shabani dhe Azdren Shala kanë shprehur kritika ndaj qeverisjes së tij.
Azdren Shala ka vlerësuar se pretendimet e Qeverisë nuk pasqyrojnë realitetin, duke i cilësuar ato si veprime populiste dhe propagandë për të kënaqur militantët partiakë.
“Rrencin kur e pyet pse je rrejte, ai vazhdon me rrejt. Këto janë ‘shminka’ të tij. Nëse i shohim të gjitha këto, kemi të bëjmë vetëm me veprime populiste. Nuk ka rritje reale të pagave, pasi ato janë në balancë me inflacionin”, ka thënë Shala.
Ai ka shtuar se, sipas tij, raporti paraqet propagandë të Qeverisë për të kënaqur përkrahësit e saj.
Ndërkaq, Anita Shabani ka kritikuar mënyrën se si Kurti e paraqet qeverisjen e tij, duke thënë se përmes emërtimeve “Kurti 1, 2, 3 dhe 4” ai e personalizon atë, në vend që ta paraqesë si qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk e lexova raportin, por e pashë postimin e zotit Kurti. Përveçse në postimin e tij mundohet t'ia atribuojë dështimin bllokimit nga opozita, një problem tjetër qëndron te mënyra se si i qaset qeverisjes së tij. Ai i referohet qeverisjes së tij si Kurti 1, 2, 3 dhe 4, duke e personalizuar qeverisjen dhe jo duke e paraqitur atë si qeverisje të Vetëvendosjes. Një lider që e personalizon qeverisjen e tij rreth vetes, në fakt, tregon se edhe qeverisja e tij është e përqendruar te një person”, ka deklaruar Shabani.
Në anën tjetër, Gazmend Morina ka thënë se Kurti mund të ketë realizuar disa nga premtimet e tij, por jo ato kryesoret.
“Sot në Kosovë nuk e kemi asnjë autostradë të përfunduar, kemi probleme me rrymën më shumë se kurrë, gjendja në shëndetësi është shumë më e keqe se kurrë, ndërsa për gjendjen në arsim nuk di çfarë të them, pasi rezultatet flasin vetë”, ka deklaruar Morina.
Ai ka vlerësuar se i vetmi progres që mund t'i atribuohet Kurtit është ai në veri të Kosovës, duke përmendur vendosjen e Policisë në zona të ndryshme, largimin e barrikadave dhe zhvillimet pas sulmit në Banjskë.
Diskutimin e plotë mund ta ndiqni në videon e emisionit “Kosova Today”.

