Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka mbajtur sonte një fjalim para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Prishtinës, në ditën e shtatë të protestave kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lahaj, i cili ishte i ftuar për të performuar para protestuesve, ka interpretuar edhe këngën e njohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, duke krijuar një atmosferë emocionuese në shesh dhe duke u pritur me duartrokitje nga të pranishmit.
Pas performancës, tenori iu drejtua turmës me një mesazh që në qendër kishte unitetin dhe bashkimin e qytetarëve.
“ Kosovës i duhet urgjentisht uniteti dhe bashkimi i të gjitha forcave, pavarësisht bindjeve politike e fetare!”, tha ai.
Lahaj u ndal edhe te e ardhmja e vendit, duke kërkuar që energjia e shoqërisë të orientohet drejt ndërtimit të një Kosove të sigurt, me institucione dhe shërbime të fuqishme.
“Së bashku e kemi për detyrë ta ndërtojmë një Kosovë të sigurt, me ushtri, edukim e mjekësi. Kemi derdhur gjak për një të ardhme premtuese për fëmijët tanë. Kjo duhet të jetë beteja jonë e vetme sot!”, u shpreh tenori.
Ai tha se qytetarët duhet t’i dalin zot vlerave që lidhen me luftën dhe paqen, duke kujtuar edhe atmosferën e festimeve të përvitshme në Prishtinë, ku mblidhen bashkë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.
“Së bashku, fuqishëm, duhet t’i dalim zot vlerave tona të luftës e paqes, se atdhe tjetër nuk kemi”, tha Lahaj.
Në fund, ai iu drejtua drejtpërdrejt protestuesve me një tjetër thirrje për bashkim.
“Për hir të gjakut të dëshmorëve, bëhuni bashkë, se atdhe tjetër nuk kemi”, tha ai, përpara se ta përmbyllte fjalimin me thirrjen: “Rrnoftë Kosova, rrnoftë UÇK-ja!”.
Protestat në Prishtinë po zhvillohen prej shtatë ditësh pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa gjatë këtyre mbrëmjeve në skenën e ngritur në shesh kanë marrë pjesë edhe figura të njohura të artit, kulturës dhe jetës publike. /Telegrafi/