Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por ka shprehur shqetësim për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe luftën hibride në rajon.
Këto deklarata i bëri pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti para Komisionit.
Ai ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përfshirë kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos kërcënimet që mund të vijnë edhe që janë permanente nga ana e Serbisë, që realisht gjithë jemi ë të shqetësuar me këtë çështjen e e luftës hibride që po ndodhin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion dhe më gjerë, dhe diskutuam edhe morëm informacione për situatën e sigurisë edhe këtu, por edhe më gjerë, në nivelin, po mendoj në nivelin rajonal, por edhe global”, tha Rama, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
Deputeti i PDK-së ka bërë të ditur se anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur AKI-në në përmbushjen e detyrave të saj.
“Bëmë disa pyetje, domethënë që janë legjitime, që ne shprehëm gatishmërinë që edhe drejtori dhe agjensioni tonë t’i shprehëm përkrahje dhe çdo nevojë dhe çdo mundësi që e kemi që të jemi sa më të sigurt edhe si vend, por edhe ta ketë përkrahjen tonë, jo në diçka nga gjë”, tha ai.
Rama ka vlerësuar se, pavarësisht kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike, situata e sigurisë në vend mbetet stabile.
“Po vlerësimet që janë përveç këtyre luftës hibride, sulmet kiberentike, domethënë llogaritet që situata në Kosovë është stabile, sa i përket sigurisë. Po, realisht edhe në pjesën veriore sundon ligji, rendi dhe jemi në rrugë, nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm”, shtoi.

