Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me çështjen e shtëpisë në Rrugën A, duke sqaruar se ajo është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.
Rama ka bërë të ditur se familjet që kanë banuar në këtë shtëpi janë evakuuar para dy vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.
Sipas tij, pavarësisht se shtëpia është ndërtuar pa leje në pronë komunale, Komuna e Prishtinës ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.
“Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara”, ka deklaruar Rama.
Ai u ka bërë thirrje personave që të mos hyjnë në këtë zonë, duke theksuar se ajo mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe mund të paraqesë rrezik për jetën e tyre dhe të ekipeve në terren.
Rama ka theksuar se prona komunale duhet të respektohet dhe të mbrohet sipas ligjit, njësoj si çdo pronë tjetër.
“Prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit”, ka thënë Rama. /Telegrafi/
