Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar sërish se Kosova rrezikon të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë që të përmbushin obligimet e marra për këtë ngjarje sportive.
Në një reagim publik, Rama ka thënë se moszbatimi i marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara, së bashku me mungesën e koordinimit institucional, po rrezikojnë përgatitjet për organizimin e Lojërave.
Sipas tij, në letrën e datës 15 tetor, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka paralajmëruar se qasja e Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojë mbajtjen e këtij eventi.
“Në letrën e datës 15 tetor, ICMG-ja ka paralajmëruar qartë se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit Organizativ, ku ka kërkuar që përgatitjet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në dhe në përputhje me marrëveshjet e vendimet e deritanishme.
“Po e ngre publikisht alarmin: rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është serioz. Kryeministër, zbatoni atë për të cilën jeni dakorduar, keni nënshkruar dhe jeni obliguar. Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj!”, ka theksuar Rama.
Shqetësimet për organizimin e Lojërave lidhen kryesisht me obligimet financiare dhe administrative, përfshirë garancitë bankare dhe pagesat që, sipas paralajmërimeve të ngritura, ende nuk janë përmbushur.
Ndërkohë, më 30 tetor është mbajtur një takim i Komitetit Organizativ, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim janë diskutuar draft-masterplani, projektet prioritare dhe hapat e ardhshëm për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare.
Qeveria ka ritheksuar zotimin për organizimin e suksesshëm të këtij eventi, ndërsa ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka deklaruar më herët se institucionet mbeten të përkushtuara që Kosova t’i mbajë Lojërat në vitin 2030.
Një moment vendimtar për të ardhmen e organizimit pritet të jetë 19 dhjetori, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do ta shqyrtojë situatën dhe propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për fatin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

