KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Rama: Pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia peng i së shkuarës

Rama: Pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia peng i së shkuarës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se është ende herët për të qenë entuziastë mbi zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit evropian të rajonit.

Gjatë një bashkëbisedimi në Dublin (Irlandë) me një audiencë ekspertësh të Europës e Ballkanit dhe diplomatësh, organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), për temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama tha se Komisioni Evropian ka pasur problematika në raport me administratën e mëparshme serbe, veçanërisht për çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës dhe përmbushjen e kërkesave thelbësore të Bashkimit Evropian.

“Është shumë herët për të thënë diçka më saktësi për atë që vjen më pas”, u shpreh Rama.

Kreu i Qeverisë i cilësoi zhvillimet politike në Serbi si një eksperiment social dhe politik, duke iu referuar të ashtuquajturës Listë Studentore dhe metodës së përzgjedhjes së personave që do të jenë pjesë e parlamentit apo qeverisë.

“Serbia po kalon nëpër një eksperiment social dhe politik, në të ashtuquajturën Listë Studentore, me këtë metodën e përzgjedhjes dhe të zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament apo në qeveri. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime”, deklaroi ai.

Duke folur për ndikimin që këto zhvillime mund të kenë në marrëdhëniet rajonale, Rama theksoi se, nga këndvështrimi i Shqipërisë, ende nuk vërehet një hapje e qartë e Beogradit në çështjet më të rëndësishme për stabilitetin dhe integrimin e rajonit.

“Për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm, që ende mungon”, u shpreh Rama.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.