Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot(e diele) në mëngjes lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke dënuar dhunën ndaj Policisë së Shtetit dhe duke theksuar se dëmet e shkaktuara mund të riparohen.
Rama deklaroi se, pavarësisht dëmeve, është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi si kurth të dhunës së verbër. Ai theksoi se gurët e hedhur ndaj policëve mund të shndërrohen në mjete vdekjeprurëse.
Kreu i qeverisë shqiptare pretendoi se protestat nuk po udhëhiqen nga studentët, por nga një “grup zjarri i paguar”, duke shprehur mbështetjen e tij për punonjësit e policisë që janë përballur me protestuesit.
Ai vuri në pah edhe vështirësitë ekonomike të familjeve të efektivëve të policisë, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e tyre përballë situatës së krijuar.
“Familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë, marrin këtë dhuratë në breshëri, pa pushim, me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës”, deklaroi Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri theksoi se përballja e ditëve të fundit nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë apo shumicën qeverisëse, por me drejtimin strategjik të vendit dhe synimin për integrimin europian.
“Në këto orë që nuk po sfidohem unë, qeveria, një shumicë qeverisëse, por një rrugë, një mision, një objektiv! Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”, u ka thënë Rama.

