Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vlerësimit të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale te “Tulltorja”.
Reagimi i Ramës vjen pasi kryesuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, kishte deklaruar se MAPL e ka vlerësuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të Tulltores për 50 vjet si në kundërshtim me normat ligjore. Një raportim i publikuar më 30 shtator i referohej këtij vlerësimi të MAPL-së.
Rama, në reagimin e tij, ka krahasuar rastin e Tulltores me atë të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me projektin “Sunny Hill”.
“Që kjo qeveri përdor mekanizmat institucionalë për t’i penguar projektet e Prishtinës, tashmë nuk përbën lajm. Rastet ndryshojnë, qasja mbetet e njëjtë”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se në vitin 2022 Kuvendi i Kryeqytetit kishte miratuar vendimin për t’i dhënë Universitetit të Prishtinës pronë në shfrytëzim, ndërsa sipas tij, MAPL kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi.
“Universiteti kishte nevojë për hapësira, iu drejtua me kërkesë Kryeqytetit të vet dhe ne, natyrisht, ia siguruam. Merreni me mend: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkoi anulimin e këtij vendimi. Pra, bashkëpunimi ndërmjet Kryeqytetit dhe Universitetit u përball me një proces gjyqësor të iniciuar nga pushteti qendror”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2026 e kishte refuzuar kërkesëpadinë e MAPL-së lidhur me këtë çështje.
“Më 3 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, natyrisht, ia refuzoi në tërësi kërkesëpadinë Ministrisë si të pabazuar. Ky është fakt i dokumentuar në aktgjykim”, ka shkruar ai.
Rama ka përmendur edhe rastin e “Sunny Hill”, duke pretenduar se edhe ai projekt ishte kundërshtuar më herët nga pushteti qendror.
“Më pas, njëjtë kundërshtuan dhënien e tokës për Sunny Hill. Sot, po të njëjtit mburren me suksesin që e kundërshtonin”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Duke iu referuar drejtpërdrejt çështjes së Tulltores, Rama ka thënë se procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se ligjshmëria e vendimit, sipas tij, do të dëshmohet.
“Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren. Ta bëjmë një gjë të qartë, procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Ashtu si në rastin e Universitetit, do të dëshmohet edhe ligjshmëria e vendimit për Tulltoren”, ka deklaruar Rama.
Ai ka akuzuar më tej pushtetin qendror se po përdor mekanizmat institucionalë për të penguar projektet e Komunës së Prishtinës.
“Ndërsa qëllimet tuaja do të demaskohen sërish para qytetarëve se si e përdorni pushtetin për të bllokuar çdo zhvillim”, ka shkruar Rama.
Në fund, kryetari i Prishtinës ka thënë se Komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve.
“JU VAZHDONI ME BLLOKADA. NE VAZHDOJMË ME PUNË. KUR TULLTORJA TË HAPET, JENI TË MIRËSEARDHUR TË MBURRENI EDHE ME TË, PËRVOJËN NGA SUNNY HILL TASHMË E KENI”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/