Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur poshtë pretendimet se në vend ka një krizë besimi ndaj institucioneve, duke i cilësuar protestat kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner si dëshmi të funksionimit të demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Rama u pyet për protestat që prej javësh po zhvillohen kundër projektit të planifikuar për turizëm luksoz në bregdetin shqiptar, si dhe për shqetësimet e ngritura nga qytetarët lidhur me mungesën e konsultimit publik dhe mbikëqyrjes demokratike.
Ai mohoi se në Shqipëri ekziston një thyerje e besimit ndaj institucioneve.
“Në Shqipëri nuk është thyer besimi. Ekziston një shembull i bukur i lirisë, i demokracisë në veprim, i një bulevardi që u përket njerëzve nga të gjitha sferat e jetës që kanë pikëpamjen e tyre dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet”, tha Rama.
Lidhur me projektin e investimit, kryeministri refuzoi ta komentojë duke u bazuar në emrat e investitorëve, duke theksuar se do të flasë vetëm kur projekti të jetë përfunduar.
“Beteja ime është të sjell në Shqipëri investime të huaja direkte. Beteja ime është të nxis zhvillime që do të jenë jo vetëm të shkëlqyera për Shqipërinë, por edhe një dhuratë për Europën”, u shpreh ai.
Rama hodhi poshtë edhe pretendimet se projekti do të çojë në privatizimin e hapësirave publike.
“Nuk ka privatizim të hapësirës publike. Është një gënjeshtër. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Ai pranoi se qeveria ka bërë ndryshime në legjislacionin mjedisor, por theksoi se këto nuk cenojnë standardet evropiane.
“Ne kemi bërë ndryshime në ligj, por nuk kemi ndryshuar thelbin e tij dhe ndryshimet nuk janë në kundërshtim me standardet dhe kriteret evropiane”, tha Rama.
Në intervistë, kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar për ndikimin e algoritmeve në përhapjen e dezinformatave.
Sipas tij, algoritmet favorizojnë përmbajtjet sensacionale dhe gënjeshtrat, ndërsa e vërteta mbetet në disavantazh.
“Algoritmit nuk i pëlqen e vërteta e mërzitshme. I pëlqejnë gënjeshtrat argëtuese, skandali, zemërimi dhe frika. Çdo studim tregon se në mediat sociale shpërblehen gënjeshtrat, ndërsa e vërteta pranohet më pak”, u shpreh Rama.
Duke komentuar protestat që kanë hyrë në muajin e dytë, Rama përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, duke thënë se mandati i marrë nga qytetarët e obligon ta çojë deri në fund procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion. Jam mandatuar nga 868 mijë shqiptarë për të përmbyllur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ky është një mision historik që nuk mund të lihet në mes”, deklaroi ai.
Megjithatë, Rama theksoi se protestat janë pjesë e funksionimit të demokracisë dhe se qeveria ka detyrimin t’i dëgjojë mesazhet e qytetarëve.
