Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se çështja e mbeturinave në kryeqytet nuk është politike, pavarësisht se, sipas tij, është përdorur për përplasje politike nga opozita dhe përfaqësues të partive të ndryshme.
Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës është takuar me qytetarët, menaxhmentin dhe punëtorët e KRM “Pastrimi”, si dhe me kryetarët e komunave të tjera, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për problemin e mbeturinave.
Ai ka theksuar se Prishtina është barrë kryesore rajonale për menaxhimin e mbeturinave, pasi, sipas tij, shërben edhe për gjashtë komuna të tjera, ndërsa rritja e qytetit ka shtuar ndjeshëm nevojat.
“Ky sistem aktual nuk po arrin t’u përgjigjet nevojave”, ka deklaruar Rama.
Rama ka akuzuar nivelin qendror se ka bllokuar projekte të rëndësishme për kryeqytetin, duke pretenduar se Prishtina ka humbur 74.1 milionë euro financim nga Ministria gjermane përmes KfW-së.
Sipas tij, financimi lidhet me një projekt për zgjidhjen e problemit të mbeturinave dhe zhvillimin e sistemit të riciklimit.
“Prishtina ka humbur 74.1 milionë euro financim nga Ministria gjermane vetëm një nënshkrim nga Hekuran Murati, sepse ai s’e ka nënshkruar”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë thirrje që në seancën e nesërme të Kuvendit Komunal të votohet themelimi i ndërmarrjes së re të pastrimit, e cila, sipas tij, do të jetë në menaxhim 100 për qind të kryeqytetit.
“Propozimi është gati, zgjidhja është gati. Vetëm duhet nesër secili asamblist i votuar për kryeqytetin të votojë për zgjidhjen”, ka deklaruar ai.
Rama u është drejtuar veçanërisht asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke u kërkuar që ta mbështesin propozimin.
“Votojeni nesër themelimin e kompanisë së pastrimit që do të jetë në menaxhim të kryeqytetit 100 për qind. Ky bërllog, këto mbeturina janë në lagjet ku ju jetoni, në rrugët ku jetoni dhe nëse ju votoni kundër, ju votoni kundër vetvetes”, ka thënë Rama.
Ai ka deklaruar se ndërmarrja e re do të menaxhohet tërësisht nga kryeqyteti, duke e cilësuar këtë si një mundësi për zgjidhjen afatgjatë të problemit të mbeturinave.
Rama ka kritikuar gjithashtu nivelin qendror për, siç ka thënë, bllokimin e projekteve infrastrukturore në Prishtinë, duke përmendur Unazën e Kryeqytetit, platronë që lidh Pallatin e Rinisë me Arbërinë, nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani” dhe projekte të tjera.
“Zgjedhja e problemit të mbeturinave dhe çështja e riciklimit është një çështje ambientale, e cila për fat të keq është bllokuar për çështje politike”, është shprehur ai.
Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës ka pasur probleme me ndërmarrjen “Pastrimi” edhe para ardhjes së tij në qeverisje, ndërsa ka deklaruar se tani ekziston një mundësi e re për zgjidhjen e problemit përmes bashkëpunimit me shtetin gjerman dhe KfW-në.
Në fund, ai ka apeluar te qytetarët që të kërkojnë zgjidhjen e problemit të mbeturinave dhe të mos lejojnë, sipas tij, që përplasjet politike të pengojnë projektet për kryeqytetin. /Telegrafi/